Rama: PD ka marrë anën e “kazanit”, gjykatësve e prokurorëve

Rama: PD ka marrë anën e “kazanit”, gjykatësve e prokurorëve

Kryeministri Rama akuzoi sot Partinë Demokratike se po mundohet të bllokojë zbatimin e reformës në drejtësi, duke dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjet shoqëruese të reformës.

Nga foltorja e Kuvendit, Zoti Rama sulmoi gjyqtarët e prokurorët duke i quajtur “mafie që mban peng drejtësinë” dhe “kazanin” që po mbron PD-ja.

Kryeministri Rama u shpreh kundër mbajtjes së një referendumi për ligjin e mbetjeve.

Më poshtë janë deklaratat kryesore të kryeministrit:

  • PD ka vetëm një plan: të pengojnë reformën me çdo kusht, edhe duke sulmuar publikisht edhe ambasadorin e SHBA-ve.
  • PD i ka shpallur luftë reformës në drejtësi dhe ka marrë haptazi anën e kazanit.
  • Kazani më i madh i mbeturinave të korrupsionit, krimit dhe mafias është sistemi i drejtësisë.
  • Ligjin e Vetingut e çuan në kushtetuese në aleancë të hapur me korrupsionin, mafien që mban peng sistemin e drejtësisë.
  • Këta duan si ai prokurori që i merrte 18 mijë euro qytetarit. Më këta e duan SPAK-un këta.
  • Këta na e bënë Shqipërinë lesh e li.
  • Në emër të frikës së tyre nga ajo që i pret me zbatimin e reformës, duan t’u mohojnë qytetarëve aksesin në drejtësi.
  • Ju është bërë lepurushi sa një mal në bark nga frika e drejtësisë. Mos ushqeni lepurin e njëri-tjetrit. Mbani secili lepurin e vet se duke ushqyer lepurin e njëri-tjetrit ju bëhet shumë e rëndë kopeja.
  • Sot axhenda e këtij kuvendi është vazhdimi me vendosshëmri i rrugës për të çuar para reformën do apo nuk do PD, i përlqen apo jo PD-së, voton apo nuk voton PD.
  • Vetëm një referendum do të ishte sot i sinqertë po të propozohej nga PD: referendumi për të ndërprerë integrimin në BE dhe për të përzënë Ambasadën Amerikane nga Shqipëria. Kjo është diçka që zemra mund t’ua dojë, por këmbët nuk ua mbajnë.

Seanca e sotme parlamentare pritet të ketë debate të ashpra mes mazhorancës e opozitës. Në rendin e ditës është miratimi i 6 nga 7 ligjet kalimtare për zbatimin e reformës në drejtësi.

Lajme te ngjashme