Artistë e qytetarë kundër HEC-eve në Valbonë dhe ligjit të plehrave

Artistë e qytetarë kundër HEC-eve në Valbonë dhe ligjit të plehrave

Më 29 dhe 30 tetor dhjetëra artistë shqiptarë organizuan një koncert-protestë ku kundërshtuan ndërtimin e HEC-eve në Valbonë dhe importin e plehrave në Shqipëri.

Nën drejtimin e këngëtareve Eda Zari e Elida Duni dhe Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP), koncert-protestës ju bashkuan mijëra qytetarë e aktivistë nga Shqipëria e Kosova, fillimisht në Luginën e Valbonës, më 29 tetor e më pas në Tiranë, më 30 tetor.

Me thirrjen “Mos ma prek Valbonën” dhe “Jo plehrave në Shqipëri”, artistë e qytetarë i bënë thirrje qeverisë të ndalojë ndërtimin e 14 HEC-eve në Valbonë dhe kërkuan anulimin e ligjit për importin e plehrave.

“Kjo është një nismë pa bordura apo ngjyrosje politike, është një maratonë artistike që mbështet, sensibilizon dhe sjell kurajën civile,” u shpreh këngëtarja Eda Zari, ardhur nga Gjermani vetëm për të protestuar.

Këngëtarja Elina Duni, e cila prej vitesh jeton në Zvicër, shtoi se:

“Kur unë i këndoj natyrës shqiptare nëpër Evropë, shumë më pyesin nëse mund të vijnë edhe ata për ta shijuar. Unë dua t’i them që të vijnë, por vështirë se mund t’ia them nëse aty shohin ndërtim hidrocentralesh dhe jo natyrë.”

koncert-valbone

Për ligjin e importit të plehrave folën dhjetëra aktivistë që prej vitesh kanë kundërshtuar këtë ligj.

“Në Shqipëri është bërë dhe bëhet shumë muzikë për qejf ahengu, për autoritetin shtetëror, për liderin e radhës, për festivale dhe për çmime. E kemi përdorur dhe keqpërdorur muzikën tonë. Sot këtu, muzika bëhet zëri i këtij vendi, manifestim i ndërgjegjes së lirë dhe patriotizmit. Nuk ka gjë më tragjike se sa fakti që pas 104 vjetëve ekzistence të shtetit shqiptar, natyra e këtij vendi të jetë e ngërthyer nga interesa klienteliste individësh të paskrupullt dhe nuk ka gjë më të fuqishme se sa t’i kthesh këngët që me aq idilizëm i kushtohen natyrës, në këngë proteste,” deklaroi nga Tirana aktivistja Mikaela Minga.

Gjatë javës së kaluar, deputetë të mazhorancës kanë deklaruar se disa prej HEC-eve në Valbonë janë anuluar, por asnjë dokument apo vendim nuk është bërë publik. Gjithsesi për dy prej HEC-et në Luginën e Valbonës kanë nisur punimet.

Po ashtu, ligji për importin e mbetjeve nuk u dekretua nga Presidenti Nishani dhe i rikthye në parlament. Ai do të diskutohet nga deputetët në javët në vazhdim.

Qytetarët u shprehën të vendosur për të vazhduar protestat deri në ndalimin e ndërtimeve në Valbonë dhe pezullimin e plotë të ligjit që, siç u shprehën dhe artistët, e kthen Shqipërinë në “koshin e plehrave të Evropës”.

Lajme te ngjashme