Italia tjetër, ajo që e do Shqipërinë

Nga Karlo Kuçi
Italia tjetër, ajo që e do Shqipërinë

Drejtoria Antimafa e Kalabrisë dhe Guardia di Finanza në bashkëpunim me doganat italiane zbulua, para dy ditësh, 19 kilogramë kokainë të fshehur në një ngarkesë me pula të ngrira. Ngarkesa e drejtuar për në portin e Durrësit, vinte nga Brazili dhe kalonte tranzit në portin e Gioia Tauro të Kalabrisë.

Ky nuk është rasti i parë që narkotrafikantët shqiptarë përdorin ngarkesa me mish të ngrirë nga vendet e amerikës latine për të transportuar drogë.

Kjo lloj tregtie, përvec dëmit shoqëror të shkaktuar nga droga, shkakton edhe probleme për tregtarët e vërtetë. Malli i përdorur për të mbuluar ngarkesën me drogë, shitet në treg më një vlerë më të ulët se normalisht, duke sjellë edhe falimentimin e tregtarëve të ndershëm.

Ngarkesa me drogë u kap nga policia italiane vetëm disa ditë pasi prokurorët italianë të antimafias kritikuan autoritetet shqiptare për mungesë bashkëpunimi, madje vullneti, në luftën kundër tregtisë trafikut të drogës.

Ditët e fundit shqiptarët dhe italianët kanë parë me çudi një teatër shifrash dhe deklaratash të qeverisë shqiptare dhe të misioneve që i japin ndihmë policisë shqiptare—Interforze dhe Pameca, të dyja me përbërje dhe udhëheqje italiane—që pohojnë se në Shqipëri nuk ekziston problemi i “kanabisit”.

Me deklaratat e tyre, këto misione i kanë shërbyer përpjekjeve propagandistike për të bindur popullin shqiptar se policia e shtetit është aktive dhe shumë e zonja, ndërsa prokuroria është e keqe dhe heton pa asnjë motiv.

Qeveria  shqiptare ka përdorur për propagandë stemat zyrtare të institucioneve italiane dhe ka bërë deklarata, vend e pavend, në emër të institucioneve italiane, por asnjë nga institucionet italiane nuk ka reaguar. Kjo aleancë e ngushtë e misioneve policore italiane në mbrojtje të ministrit Tahiri dhe qeverisë shqiptare duket si dorëzim pa kushte i funksionarëve të dembelosur italianë, të cilët kanë nevojë për të marrë pëlqimin e domosdoshëm nga qeveria për rinovimin e misioneve të tyre në Shqipëri.

Pas shumë vitesh qëndrimi pa asnjë rezultat të ndjeshëm në Shqipëri dhe mbasi kanë harxhuar dhjetra miliona euro, këto misione po ndeshen me “rrezikun” e transformimit të tyre rrënjësor, në mos fundin e tyre.

Por asgjë mund të mos ndryshojë, pra as rehatia e funksionarëve, nëse qeveria shqiptare deklaron se mbështetja dhe kontributi i tyre është i madh dhe jetik.

Por, ndërsa qytetarët shqiptarë po fillojnë të ndërgjegjësohen për përmasat e fatkeqësisë sociale që po shkakton qeverisja e papërgjegjshëm, nga ana tjetër e detit po mbërrijnë, më në fund, lajme serioze, të cilat u tregojnë qytetarëve shqiptarë dhe italianë që jetojnë në Shqipëri se: Në Romë dhe Europë ka akoma zyra të afta, të vendosura dhe të vëmendshme për atë që ndodh në Shqipëri.

Këto zyra punojnë me energji. Rezultat i seriozitetit dhe përgjegjshmërisë së tyre është intervista jo rastësore e transmetuar në Rai Tre e kryeprokurorit antimafia Cataldo Motta dhe lajmet e vazhdueshme për kapjen e drogës, jo vetëm të kanabisit, që kalon tranzit në territorin italian nga dhe drejt Shqipërisë.

Nëse disa zyra të qeverisë italiane duken më shumë të përshtatshme për rehati shterpë, ka zyra të tjera plot gjallëri dhe pëkushtim, të cilat mbajnë lart flamurin e tyre dhe punojnë pa u lodhur dhe pa kompromis në shërbim të ligjit dhe të qytetarëve.

Kjo është Italia e dytë—ajo që ne dëshirojmë të jetë e para dhe jo më e dyta, ajo që i shërben vërtetë interesave të Italisë dhe të Shqipërisë, pa dallim.

Kjo është Italia që ka për zemër një të ardhme të mirë dhe të denjë për Shqipërinë.

Lajme te ngjashme