Vrasja e Ardit Gjoklajt “përndjek” kryebashkiakun Veliaj Foto © Facebook

Portreti i Ardit Gjoklajt, 17 vjeçarit të vrarë në landfillin e Sharrës, gjendet tashmë kudo nëpër Tiranë. Një grup aktivistësh e artistësh anonimë, të njohur si Çeta, kanë vizatuar portretin e të riut në dyert e Bashkisë, në instalacionin Reja – vepër e promovuar nga kryebashkiaku Veliaj, në parkun e lojrave tek Liqeni Artificial apo dhe në mure e kabina elektrike.

Shoqëruar me fjalët “Censuruar” dhe “Çeta” mesazhi i grupit duket i qartë: ata kërkojnë zbardhje dhe drejtësi për vrasjen e Arditit. Siç shkruajnë dhe në faqen e tyre zyrtare në Facebook, Çeta do të vazhdojë të “përndjekë” kryebashkiakun Veliaj deri në zbardhje të ngjarjes.

“Aty ku është Bashkia do jetë dhe Arditi, deri sa përgjegjësia të bie mbi fajtorët e vërtetë,” shkruan Çeta.

ceta-4
Foto © Facebook
ceta-2
Foto © Facebook
ceta-1
Foto © Facebook

Kryebashkiaku Veliaj është akuzuar publikisht nga drejtuesit e emisionit Publicus dhe gazetarja Alida Tota se ka ndërhyrë për të ndalur transmetimin e investigimeve për ngjarjen e gushtit 2016 në landfillin e Sharrës. Ai akuzohet për lidhje klienteliste me kompaninë që së bashku me Bashkinë Tiranë menaxhon landfillin e mbetjeve në Sharrë.

Po ashtu, më 26 tetor, një seancë dëgjimore në komisionin e medias në Parlament, ku do të dëshmonte gazetarja Tota, u pengua të zhvillohej nga deputetët socialistë.