Ministria e Arsimit ndalon përdorimin e simboleve turke në shkollat në Shqipëri

Ministria e Arsimit ndalon përdorimin e simboleve turke në shkollat në Shqipëri

Ministria e Arsimit i ka ndaluar institucioneve arsimore jopublike në Shqipëri përdorimin e emërtimeve dhe simboleve turke.

Shkresa zyrtare drejtuar institucioneve, e firmosur nga Plarent Ndreca, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, u publikua pasditen e sotme nga Lapsi.al.

Kjo kërkesë ka ardhur fillimisht nga ambasada turke në Tiranë, e cila pasi ka marrë miratimin e Ministrisë së Jashtme, është dërguar për zbatim në Ministrinë e Arsimit.

Duket se kërkesa e ambasadës është një ndër masat që qeveria turke po merr ndaj predikuesit Fetullah Gylen, i njohur në gjithë botën për investimet e shumta në fushën e arsimit.

Presidenti Erdogan dhe qeveria turke akuzon predikuesin Gylen dhe organizatat e lidhura me të si organizator të grushtit të dështuar të shtetit të korrikut 2016.

Në Turqi, qeveria ka nisur një fushatë spastrimi ndaj atyre që i konsideron përkrahës të Fetullah Gylen. Pak ditë më parë, të gjithë drejtuesit e universiteteve në vend u shkarkuan me anë të një dekreti qeveritar. Tashmë e drejta për të emëruar rektorët dhe dekanët e universiteteve i takon Presidentit Erdogan.

Nuk dihet ende nëse institucionet arsimore në Shqipëri kanë filluar zbatimin e këtij urdhëri.

Që prej vitit 1992, në Shqipëri janë disa institucione arsimore jopublike që konsiderohen të lidhura me predikuesin Gylen. Më të njohurat janë universitetet “Epoka” dhe “Beder”, kolegjet “Mehmet Akif” e “Turgut Ozal”, shkolla 9-vjeçare “Memorial International School of Tirana”, si dhe shkollat fillore “Hasan Riza Pasa” dhe ”Turgut Ozal” përkatësisht në Shkodër dhe Durrës.
Artikuj të lidhur:

Turqi, “masakër” ndaj nëpunësve civilë e medias

 

Lajme te ngjashme