LSI zhvillon zgjedhjet për kryetarin e partisë

LSI zhvillon zgjedhjet për kryetarin e partisë

 Dje, më 6 nëntor, Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi zgjedhjet për kryetarin dhe delegatët në kuvendin kombëtar të partisë. Në garë për kreun e LSI-së ishin tre kandidatë: kreu aktual i partisë dhe njëkohësisht Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Shezai Rrokaj, Kreu i LSI-së Tiranë, dhe Përparim Spahiu, aktualisht deputet i LSI-së.

Pas votimit Zoti Meta vlerësoi pjesëmarrjen e lartë në votime.

Sa më e fuqishme të jetë LSI aq më e qetë, aq më e sigurt është Shqipëria, aq më i fuqishëm është dialogu dhe aq e sigurtë është dhe e ardhmja evropiane e Shqipërisë”, deklaroi ai.

Ndërsa kandidati Rrokaj, profesor në Universitetin e Tiranës, tha platforma që ai i ka ofruar anëtarëve të LSI-së ka qenë e thjeshtë: “sa më shumë politika konkrete në dobi të qytetarit, sa më shumë partia e hapur ndaj shoqërisë civile dhe botës akademike,sa më larg politikës konfliktuale.”

Pas votimit Zoti Rrokaj tha se LSI “synon të dalë forcë e parë, por koalicionet janë pjesë e vendimmarrjes së strukturave.”

Kandidati Rrokaj duke votuar në zgjedhjet e 6 nëntorit - Burimi Facebook
Kandidati Rrokaj duke votuar në zgjedhjet e 6 nëntorit – Burimi Facebook

Deputeti Spahiu tha se “Besoj që erdhëm deri këtu për një LSI më të mirë, që unë personalisht besoj fort që është për një Shqipëri më të mirë.”

Zgjedhjet u zhvilluan sipas parimit “një anëtar, një votë”.

Rezultatet përfundimare për kreun e LSI-së dhe delegatët në kuvendin e partisë priten të dalin sot.

Shumë analistë dhe media kanë parashikuar fitoren e Zotit Meta me një diferencë të madhe. Ilir Meta ka qenë i vetmi kryetari i LSI-së që prej themelimit të saj në vitin 2004.

Lajme te ngjashme