Brendi Rama nuk vlen shumë

Nga Johannes Estrada
Brendi Rama nuk vlen shumë Burimi - Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes

Të enjten, Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi ishte e ftuar në një diskutim me studentë dhe akademikë të Universitetit Europian të Tiranës. Diskutimi u përqendrua kryesisht në çështjet aktuale të ekonomisë. Deklaratat kryesore të ministres Ekonomi u publikuan në disa gazeta dhe tërhoqën menjëherë vëmendjen për shkak të një pretendimi të ministres se vendi aktualisht ka vetëm një “brand” (“markë” do kishte qenë versioni korrekt në shqip)  kryesor për të tërhequr interes, konkretisht Kryeministrin Edi Rama personalisht.

Ndër vite, shqiptarët janë njohur si njerëz që i mbulojnë me lavde e adhurim liderët e tyre, gjithmonë në dëm të zhvillimit të vendit. Por deklarata e ministres Ekonomi, e ekzagjeruar dhe skandaloze, u bë pre e talljeve në rrjetet sociale. Kjo pjesërisht dhe për faktin se ministrja Ekonomi e ka prezantuar veten si një teknokrate, me të ashtuquajturat vlera moderne, që duhet të flasë dhe veprojë ndryshe nga militantët e prapambetur të politikës së të shkuarës. Deklarata e saj, në fakt, tregoi të kundërtën.

Diskutimi, megjithatë, nuk u përqendrua vetëm në rolin që Kryeministri Rama luan në diktimin e fateve ekonomike të vendit. Ministrja Ekonomi preku disa çështje të rëndësishme ekonomike dhe shpjegoi qëndrimin e saj. Për fat të keq, ashtu si me vlerësimin e saj për rolin e kryeministrit, pozicioni i saj për çështjet e tjera është thellësisht shqetësues.

Raporti Doing Business

Çështja e parë që Zonja Ekonomi preku ishte raporti “Doing Business 2017”, sipas të cilit Shqipëria ka bërë përmirësime në disa fusha që lidhen me sipërmarrjet private. Megjithatë, siç është shpjeguar më parë në artikuj të tjerë, raporti vështirë se mund të konsiderohet një përpjekje serioze akademike. Renditja dominohet nga vende që reformojnë vetëm ato indikatorë që raporti vëzhgon, duke lënë pas dore tregues të tjerë, më të rëndësishëm për sipërmarrjet vendase. Në raport, Maqedonia ka qenë një prej 10 shteteve me performancën më të mirë në botë. Megjithatë, siç do të tregojmë më vonë, kjo nuk ka sjellë më shumë investime të huaja në vend. Në fakt nuk ka hulumtues dhe akademikë që mbështeten në raportin “Të bësh biznes” për kërkimet e tyre shkencore. Ndaj dhe ministrja Ekonomi do të bënte mirë të mos i referohej shpesh atij raporti.

Taksat

Tjetër çështje që ministrja Ekonomi preku ishin taksat. Kohët e fundit, qeveria është kritikuar për rritjen e taksave, por ministrja Ekonomi theksoi, me krenari, se taksat e Shqipërisë nuk janë më të lartat në rajon. E vërteta është se debati mbi taksat është një ushtrim i kotë intelektual për dy arsye kryesore.

Së pari, është shumë e vështirë të bësh një krahasim të saktë të nivelit taksave mes vendeve të ndryshme, duke qenë se çdo shtet ka tarifa, norma dhe nivele taksimi të ndryshme për shërbime dhe kategori të ndryshme.

Arsyeja e dytë, dhe kjo ndoshta është kryesorja, është se taksat nuk janë kostoja kryesore e një sipërmarrësi në vendet në zhvillim. Taksat në Shqipëri, si dhe në rajon, janë gjithsesi më të ulëta krahasuar me vendet e zhvilluara. Por ato janë më të ulëta pikërisht për shkak se vendi krijon kosto shtesë për sipërmarrësit për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, pasigurisë së lartë, mungesës së infrastrukturës e mbështetjes. E vetmja mënyrë që kanë vendet në zhvillim për të kompensuar kostot e tjera që krijojnë për bizneset është duke reduktuar taksat në nivele mjaft të ulëta. Si shembull kryesor mund të përmendet fakti që qeveria ndryshoi për herë të katërt gjatë 3 viteve qeverisje ligjin për procedurat tatimore gjatë javës së shkuar. Për shkak të pasigurisë së tepërt, sipërmarrësit në Shqipëri e kanë të pamundur të planifikojnë më parë strategjinë e tyre.

Ndaj më shumë se sa debati mbi krahasimin e niveleve të taksave në rajon, ministrja duhet të fokusohet më shumë tek kostot e tjera të larta, përtej taksave, të cilat qeveritë vendosin mbi  sipërmarrësit.

Monopolet

Një tjetër çështje interesante e diskutimit ishin monopolet. Ministrja Ekonomi as e mohoi dhe as e pranoi ekzistencën e tyre, por u mjaftua duke thënë: “e rëndësishme është shtimi i të dhënave dhe analizave për këtë gjë.” Ky është një pretendim krejtësisht i rremë, në dy drejtime kryesore.

E para është se vetë qeveria është përgjegjëse për krijimin e shumë monopoleve nëpërmjet përdorimit të Partneritetit Publik-Privat (PPP). PPP-të e dhëna nga qeveria Rama, dhe bashkitë e kontrolluara prej partisë së tij, mbulojnë një shumëllojshmëri aktivitetesh, duke filluar nga nxjerrja e lëndëve të para, përdorimit ekskluziv të pyjeve dhe të drejtës së peshkimit, shërbime të ndryshme publike si kontrollet mjekësore (check-up), kontrollet dhe skanimet doganore e deri tek menaxhimi i mbeturinave, parkingjet private dhe kioskat që kanë mbirë kudo nëpër Tiranë së fundmi.

Arsyeja e dytë është se qeveria, në fakt, ka shumë të dhëna lidhur me këto çështje që duhet të ishin bërë publike, por që nuk janë. Të dhënat për përqendrimin e depozitave bankare apo kredive me problem mund të hedhin dritë mbi nivelin e pasurisë së shqiptarëve që kontrollohet nga një numër i vogël individësh.

Për këto arsye, ministrja Ekonomi gënjen pa as më të voglin dyshim kur thotë se nevojiten më shumë të dhëna për të diskutuar problemin e monopoleve. Është vetë qeveria që po jep marrëveshje PPP duke krijuar monopole si dhe ekzistojnë mjaftueshëm të dhëna, pavarësisht se ato nuk bëhen publike.

“Brand”-i i Shqipërisë

I fundit, por më i rëndësishmi, ishte pretendimi i ministres se kryeministri Rama është aktualisht “brand”-i kryesor që Shqipëria ka jashtë kufinjve të saj. Do të ishte e padobishme të tentohet të kuptohet se si ministrja arrin në të tilla përfundime, por mund të jetë e rëndësishme të vlerësohet se sa i vlefshëm është ky “brand” në të vërtetë. Shuma e investimeve të huaja direkte (IHD) që Shqipëria ka tërhequr është me shumë mundësi treguesi më i mirë i këtij “brandi-i kryeministror”.

Gjetja dhe mbledhja e të dhënave për IHD-të është një punë e sikletshme,  ç’ka bën që shumë shpesh politikanët të gënjejnë për to.

Për më tepër, Banka e Shqipërisë ka ndryshuar kohët e fundit metodologjinë që përdor për të raportuar IHD-të.  Pas këtyre ndryshimeve, vetëm pak vite të dhënash janë të disponueshme. Fatmirësisht, Banka Botërore (BB) ka një databazë që tenton të arrijë qëndrueshmëri në metodologji duke lehtësuar krahasimin mes vendesh dhe periudhash të ndryshme për flukset e IHD-ve.

Grafiku më poshtë tregon krahasimin e drejtpërdrejtë të vendeve të rajonit. Tre dukuri janë lehtësisht të dallueshme.

graph1

Së pari, Maqedonia, “ylli” i raportit Doing Business, në të vërtetë nuk performon aspak mirë, duke na treguar kështu se sa pak domethënëse është renditja e DB.

Së dyti, Shqipëria e ka përballuar krizën financiare globale relativisht mirë, krahasur me vendet fqinjë ku investimet e huaja pothuaj u zhdukën për një periudhë.

Së treti, dhe më e rëndësishmja, duket se Kryeministri Rama nuk ka shtuar asgjë me vlerë për të shtuar vlerën tërheqësë të Shqipërisë në sytë e investitorëve të huaj. Madje, fluksi i IHD-ve ka pësuar rënie pas vitit 2013, me ardhjen e tij në pushtet. Duket se “brandi”-i i Edi Ramës nuk vlen jashtë vendit duke rrëzuar pretendimin e bërë nga ministrja.

Ministrja Ekonomi pati një mundësi të mirë për të adresuar çështje të rëndësishme për ekonominë shqiptare. Në një ambient akademik ajo shumë mirë mund të kishte folur për disa nga të vërtetat e vështira më të cilat po përballet vendi dhe ekonomia këto vite. Në vend të kësaj, ajo shfrytëzoi rastin për t’iu shmangur pyetje, për të cituar studime joserioze dhe për të bërë propagandë të vjetër politike.

Lajme te ngjashme