Situata e përmbytjeve: Bregu i Lumit nën ujë, Vjosa rrezikon qarkun e Vlorës

Situata e përmbytjeve: Bregu i Lumit nën ujë, Vjosa rrezikon qarkun e Vlorës

Situata e përmbytjeve vazhdon të jetë problematike në disa qarqe të vendit. Megjithëse reshjet e shiut kanë qenë më të pakta gjatë ditës së djeshme, në qarkun e Shkodrës, në fshatin Obot dhe në Bërdicë 120 shtëpi dhe 300 hektarë tokë janë nën ujë.

Në qarkun e Dibrës, po punohet për riparimin e argjinaturës së lumit Drin i Zi. Degë të Drinit kanë dalë nga shtrati duke dëmtuar disa shtëpi, një urë dhe tubacionin e ujësjellësit pranë Fushë-Bulqizës.

Në qarkun e Durrësit, në Shijak lumi Erzen ka dalë nga shtrati duke përmbytur 20 banesa. Familjet janë evakuuar nga Qendra Vullnetare e Emergjencave dhe Forcat e Ushtrisë.

Në qarkun e Tiranës, zona më problematike është Bregu i Lumit, ku 80 shtëpi janë përmbytur.

Në fshatin Babrru ka pasur rrëshqitje masive dherash. Rruga është aktualisht e pakalueshme.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka lajmëruar se në qarkun e Tiranës do të ketë probleme me furnizimin me energji elektrike në Zall Bastar, Vorë, Prezë, Paskuqan, Valias, Shëngjergj, Shkallë dhe në rrugën Siri Kodra.

Në qarkun e Vlorës, lumi Vjosa ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa banesa. Në Selenicë, prurjet e shumta kanë shembur urën e Brahajt, duke izoluar zonën. Po ashtu, rrugët që lidhin fshatrat e Selenicës me Vlorën janë përmbytur dhe janë të pakalueshme.

Ministri Panariti i kërkoi banorëve pranë lumit Vjosa të largohen prej aty, pasi gjatë ditës së sotme pritet të rriten prurjet e Vjosës.

Lajme te ngjashme