MPJ për dënim e shoferëve: Greqia po shkel rregullat ndërkombëtare

MPJ për dënim e shoferëve: Greqia po shkel rregullat ndërkombëtare Ministri i Puneve te Jashtme Ditmir Bushati

Ministria e Punëve të Jashtme i quajti, sot, procedurat e autoriteteve greke për ndalimin dhe dënimin e shoferëve shqiptarë në kudërshtim me rregullat e së drejtës ndëkombëtare.

“MPJ shpreh keqardhjen që procedura e ndjekur nga autoritetet greke bie në kundërshtimi të plotë me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke cënuar njëkohësisht klimën e miqësisë dhe të besimit mes dy shteteve tona. [MPJ] do të vijojë të ndjekë në rrugë diplomatike trajtimin e mëtejshëm të kësaj çështje duke uruar në të njëjtën kohë për një reflektim të shpejtë të palës greke për këtë çështje”, shkruan ministria në njoftin për shtyp.

Reagimi i ministrisë vjen një ditë pas dënimit më 30 muaj burg me kusht të dy shoferëve të Ministrisë së Jashtme që po transportonin tekse shkollore për në Greqi. Shoferët akuzohen për tentativë për futjen e materialeve propagandistike në Greqi.

Më 13 nëntor, punonjësja e doganës greke ka ndaluar shoferët në Kakavijë pasi mjeti i tyre nuk ishte me targa diplomatike. Sipas deklaratës së punonjëses, shoferët kanë thënë se po transportonin material diplomatike dhe se ishin të pajisur me pasaporta diplomatike. Gjatë kontrollit, në tekste punonjesja e doganës ka gjetur libra me hartën e Shqipërisë së Madhe.

“Pas kësaj njoftova drejtuesin tim dhe i konsiderova të paligjshëm,” ka deklaruar ajo.

Ambasadori shqiptar në Greqi, Z. Dashnor Dervishi ka deklaruar se librat nuk kishin përmbajtje provokuese apo propagantistike. Ato ishin tekset shkollore për kurset e gjuhës shqipe që ofrohen në Greqi.

Ministria e Punëve të Jashtme ka ofruar ndihmë juridike për dy shoferët.

Lajme te ngjashme