Nga Karl Kuçi
Realiteti është ndryshe nga propaganda boshe e Samitit të Diasporës

Prej dy vjetësh në qytetin e Durrësit është hapur një fabrikë tekstile. Fabrika prodhon pëlhure për prodhimin e veshjeve, për import dhe eksport. Në Shqipëri nuk ka pasur një fabrikë të tillë, që pas mbylljes së fabrikës tekstile të Kombinatit.

Fabrika është e pajisur me makineri moderne të teknologjisë së fundit me qëllimin për të prodhuar pëlhurë cilësore për fabrikat e vendit dhe ato të huaja. Ajo u ndërtua nga tre emigrantë shqiptarë në Itali.

Pronarët kanë pothuajse 20 vjet që punojnë në Itali në këtë sektor.

Kanë punuar ditë e natë, duke fituar eksperiencë në punë, duke përveshur mëngët e ulur kokën derisa arritën të bëhen pronarë të një fabrike moderne. Ata furnizojnë me materiale gjysmë të gatshme shumë firma italiane.

Por, ata në përgjigje të thirrjes së qeverisë për të investuar në mëmëdhe vendosën të kthehen në Shqipëri.

Çmontuan gjysmën e kapacitetit prodhues në Itali dhe e rimontuan në Shqipëri. Kostot e ulëta të krahut të punës dhe prania e shumë ndërmarrje konfeksionesh do të siguronte një treg fitimprurës për produktin e tyre.

Por, pas dy vjetësh, ata po mendojnë të kthehen sërish në Itali. Do të çmontojnë gjithçka dhe do t’i kthejnë makineritë në Itali. Shumë gjëra nuk shkuan mirë. Ata, të cilët në Itali fitonin shumë, këtu nuk arritën të punonin.

“Në Shqipëri nuk mund të punohet,”– shprehen pronarët e fabrikës.

Së bashku me makineritë do të marrin dhe ato pak persona të familjes që kanë mbetur këtu, do të kërkojnë nënshtetësinë italiane dhe do të hedhin në ndonjë sirtar të humbur pasaportat shqiptare.

Fundi i ëndrrave dhe shkëputje nga rrënjët e origjinës, ata nuk do të jenë më emigrantë por përfundimisht vetëm imigrantë në Itali.

“Problemet me doganën, problemet fiskale e bënë të pamundur vazhdimin e biznesit në Shqipëri,” thonë tashmë tre emigrantët.

Shqipëria mundohet të japë përshtypjen e një vendi parajsë investimesh, por tashmë u bënë vite që në mënyrë të papërgjegjshme dhe cinike shohim se si firmat falimentojnë dhe se si dështojnë përpjekjet e shqiptarëve apo të huajve për të investuar në vend.

Në ditët në vazhdim do të mbahet në Tiranë një kongres madhështor i diasporës shqiptare. Me siguri, Kryeministri do të kërkojë për të disatën herë t’i mbushë mendjen një game të gjerë shqiptarësh që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit – duke cituar se ka ardhur koha që të rikthehen në Shqipëri – për të sjellë në mëmëdhe ato aftësi dhe të mira materiale të përftuara në emigrim.

Argumentat e propagandës si ato të renditjes më të mirë të vendit në “Doing Business” do të përdoren përsëri. Por çdo herë që përdoren duken edhe më të pa besueshme, dhe çdo herë funksionojnë edhe më pak, aq pak sa as diaspora nuk po i beson më.

Do të ishte shumë herë më mirë nëse qeveria do të pyesë pse kaq shumë kompani falimentojnë? Çfarë mund të bëhet për të përmirësuar rikthimi e investimeve e vogla?

Dhe e gjithë kjo përpara se të jetë shumë vonë.