E majta shqiptare dhe paga e punonjësve

Nga Karl Kuci
E majta shqiptare dhe paga e punonjësve

Sipas INSTAT, në Shqipëri deri në fund të vitit 2015 janë rreth një milionë të punësuar. 164 mijë prej tyre janë punonjës të administratës publike, 395 mijë punonjës të sektorit privat dhe rreth 444 mijë punonjës privat në sektorin e bujqësisë. Rreth 35 për qind e popullsisë është në gjendje pune, ndër to 560 mijë pra 20 për qind janë punonjës publikë dhe privatë.

Një nga motorët kryesorë të ekonomisë është shfrytëzimi efikas i forcës punëtore.

Një nga detyrat kryesore të shtetit modern është rregullimi i marrëdhënies së punës, siguria në punë dhe të gjitha çështjet e lidhura me të sepse pasoja sociale dhe ekonomike të kësaj marrëdhënie ndikojnë në të gjithë shoqërinë. Ky ndikim ndihet veçanërisht në vende ku shëndetësia dhe sigurimet shoqërore sigurohen nga shteti.

Punonjësit në Shqipëri janë pjesa më e pambrojtur në një marrëdhënie pune. Në një shteti normal, ky i fundit duhet të përcaktojë kushtet minimale etike dhe ekonomike për të mbrojtur dinjitetin e punonjësit.

Por, në Shqipëri e drejta e punës është vetëm për të pasurit, për të kërcënuar bankat dhe sipërmarrësit e huaj, ose për të mbrojtur militantët partiak të punësuar nga partia në pushtet.

Madje, qeveria po përdor besueshmërinë e ulët të sindikatave si një argument për tërheqje e investitorë të huaj në vend. Ajo nuk punon për rregullimin e marrëdhënieve mes punëdhënesve e punonjësve, por vendos vetëm kushtet për pagën minimale dhe maksimale, të cilat janë të paqarta dhe të pasakta. Shpesh këto kushte përdoren për të krijuar taksa të fshehta, për të propaganduar përparimin drejt standardeve evropiane ose për krijimin e punësimeve parazitare.

Problemet kryesore të punësimit në vend janë punësimi në të zezë, vonesa në pagesa, mospagesat e sigurimeve shoqërore, shfrytëzimi për një pagë minimale e etj.

Edhe në kompanitë me aksioner shtetin, situata nuk ndryshon. Ato nuk paguajnë punonjësit për muaj të tërë dhe ndërkohë nuk shqetësohen të grumbullojnë borxhet që palë të treta kanë ndaj tyre, si në rastin e ARMO-s.

Tashmë edhe ligji i sapo miratuar i falimentimit i klasifikon pagat e punonjësve më pak të rëndësishme se borxhet e bankave. Pra, kur një kompani falimenton më parë ajo duhet të likuidojë borxhet e bankave dhe vetëm nëse mbetet ndonjë lekë, do të paguajë pagat e prapambetura të punonjësve.

Dhe kjo duket aq normale sa askush nuk fyhet apo proteston. As punëtorët e lodhur dhe të frikësuar dhe as intelektualët e majtë, të cilët njihen si mbështetës të çështjeve gjinore apo të liberalizmit të ekonomisë.

Ndoshta disa do të mbronin qasjen se roli i shtetit në ekonomi duhet të jetë minimal, por kur flitet për të drejtën e punës, nuk flitet më për ekonomi, por për dinjitet të personave, për qëndrueshmëri dhe përgjegjësi shoqërore.

Kjo duhet të fillojë me zbatimin e të drejtës për tu paguar në kohë, pagesën e kontributeve shoqërore dhe regjistrimi i kontratës së punës.

Shoqëria shqiptare nuk mund të gjej një ekuilibër pa caktuar dhe zbatuar më parë disa kushte minimale në shërbim të qytetarëve të saj më të pa mbrojtur.

Lajme te ngjashme