Rama nuk e di nëse Merkeli do të votojë pro negociatave — Pikat kryesore të intervistës me DW

Rama nuk e di nëse Merkeli do të votojë pro negociatave — Pikat kryesore të intervistës me DW Kryeministri Edi Rama. Burimi DW

Pas takimit të së hënës me Kancelaren Angela Merkel, Kryeministri Edi Rama bisedoi me gazetaren Adelheid Feilcke, drejtuese e seksionit Europa në Deutsche Welle.

Kryeministri nuk pohoi nëse Kancelarja i kishte premtuar se do të votonte pro hapjes së negociatave, por zgjodhi sërish të zbehë qëndrimin kundër të shumicës parlamentare gjermane CDU/CSU duke u shprehur se miratimi për hapjen e negociatave nuk është në dorë të Bundestagut, por të qeverisë gjermane dhe qeverive të tjera të BE-së.

Si edhe më parë, Kryeministri Rama ka shpërfillur krejtësisht çdo pritshmëri europiane për luftimin e krimit, korrupsionit dhe zgjedhjet e lira, duke theksuar se ka vetëm një kusht për hapjen e negociatave, kushti i vetingut.

Kryeministri ka folur, gjithashtu, për marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë dhe Serbinë, si dhe për ngjarjet e fundit në rajon.

Pohimet kryesore të Kryeministrit Rama janë përmbledhur më poshtë.

  • Eshtë e natyrshme të ketë deputetë që kanë pikëpamjet e tyre në parlamentet e ndryshme të vendeve të BE-së. Por dhjetori nuk ka të bëjë fare me Bundestagun gjerman, dhjetori ka lidhje me qëndrimin e qeverisë gjermane dhe të qeverive të tjera për rekomandimin e Komisionit Europian.
  • [E]dhe pse ajo [Merkel] nuk është shprehur hapur… Ajo ka përshëndetur arritjet, reformat e rëndësishme, që kemi ndërmarrë, gjë që e ka përsëritur edhe gjatë bisedës.
  • Bëhet fjalë për pesë prioritete, që janë kritere dhe nuk janë kushte. Ato pesë prioritete vlejnë edhe për shumë vende anëtare, në kuptimin e mirë të fjalës. Kështu që s’bëhet fjalë për kushtëzime.
  • [N]e nuk mund të çelim zyrtarisht negociatat dhe nuk ka në fakt as kuptim që ta kërkojmë një gjë të tillë, në qoftë se nuk fillojmë të zbatojmë ligjin e vetingut të prokurorëve dhe të gjykatësve. Ky është kushti i vetëm për Shqipërinë.
  • Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e këtyre 25 vjetëve që të ketë tre takime zyrtare në tre vjet mes kancelarit gjerman dhe kryeministrit të Shqipërisë.

Lajme te ngjashme