Problemet e Komisionit të Venecias me ligjin e vetingut — Exit shpjegon

Problemet e Komisionit të Venecias me ligjin e vetingut — Exit shpjegon

Komisioni i Venecias publikoi sot opinion miqësor tij për ligjin e Rivlerësimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i njohur ndryshe si ligji i vetingut, në përgjigje të katër pyetjeve që Gjykata Kushtetuese i kishte parashtruar disa javë më parë.

Sikurse thekson vetë Komisioni në paragrafët 4 dhe 59 të tij, opinioni nuk vlerëson kushtetueshmërinë e ligjit, çka mbetet kompetencë e Gjykatës Kushtetuese, por përputhshmërinë e përgjithshme të tij me standardet europiane.

Në lidhje me çështjen nëse lejon apo jo ligji ndërhyrjen e institucioneve në varësi të qeverisë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, Komisioni shprehet se roli i dy organeve—Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) — “duhet të kufizohet deri në atë pikë sa nuk cënon funksionimin e institucioneve të vetingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Apelimit (KA)”.

Komisioni, në paragrafin 54, këshillon se DSIK “duhet ta klasifikojë një informacion sekret vetëm nëse ai nuk ndikon negativisht në vlerësimin e figurës nga Kolegji i Apelimit dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.”

Ndërsa në paragrafin 64, Komisioni është shprehur se grupi i punës që përbëhet nga organet ekzekutive duhet të jetë domosdoshmërisht nën mbikqyrjen dhe kontrollin e plotë të Komisionit të Pavarur të Kontrollit që zgjidhet nga Kuvendi:

Për Komisionin e Venecias, konkluzioni themelor është që grupi i punës, i cili ka rolin kryesor në kontrollin e figurës dhe që përbëhet nga personel sigurie, të funksionojë nën mbikqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit dhe që të gjitha materialet në dispozicion të grupit të punës duhet të jenë në dispozicion të tyre.

Ndërsa për çështjet e tjera të ngritura nga Gjykata Kushtetuese mbi “përputhshmërinë e ligjit me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, vlerësimi i shprehur si më poshtë i Komisionit është pozitiv:

Gjykimi i ligjit të vetingut nga gjykatësit e Gjykatës kushtetuese nuk do të përbëj konflikt, sepse kjo situatë do të konsiderohet si një “rrethanë e jashtëzakonshme”, që mund të kërkojë shmangien nga parimi i skualifikimit me qëllim që të parandalohet mosdhënia e drejtësisë”.

Kolegji i Ankimit mund të konsiderohet si institucion i specializuar që ofron garanci gjyqësore për personat e prekur nga procedura e rivlerësimit, ndaj mohimi i të drejtës së gjyqtarëve dhe prokurorëve për t’iu drejtuar gjykatave të vendit në rast të një vlerësimi të gabuar nuk shkel asnjë Konvetë të të Drejtave të Njeriut.

Komisioni i Venecias shprehet se ndërhyrja në jetën private dhe familjare të gjykatësve dhe prokurorëve është një ndërhyrje e justifikuar, ndaj kjo dispozitë nuk e shkel Konventën e të Drejtave të Njeriut.

Lajme te ngjashme