Banorët në grevë ndaj rrezikut të shkaktuar nga Bankers Petroleum

Banorët në grevë ndaj rrezikut të shkaktuar nga Bankers Petroleum

Mbrëmjes e ditës së martë, 10 banorë të fshatit Zharrëz të Mallakastër kanë nisur një grevë urie. Ata shprehen se jeta e tyre është e rrezikuar nga lëkundjet e tokës të shkaktuara nga metodat e nxjerrjes së naftës nga kompania Bankers Petrolium.

Ata kërkojnë zgjidhje për situatën dhe dëmet e shkatuara nga qeveria apo vetë kompania.

Banorët janë shprehur, gjithashtu, të prekur nga censura që media u ka bërë shqetësimeve dhe protestave të tyre të vazhdueshme ndaj kompanisë Bankers.

Në një video të transmetuar në rrjetet sociale, banorët shprehen se kanë tre ditë që përjetojnë lëkundje të mëdha të tokës të shkaktuar nga shpimet e kompanisë së naftës, të cilat kanë shkaktuar dëme në banesat e fshatit.

Pavarësisht se qeveria ka instaluar në zonën ku zhvillon aktivitetin kompania disa aparatura që vërtetojnë nëse lëkundjet janë të shkatuara nga aktiviteti natyror i tokës apo nga aktiviteti i Bankers, në faqen e Institutit të Gjeoshkencave raportohet vetëm se “më 18 dhjetor në veri-lindje të Marinzës ra tërmet me fuqi 2.1 ballë dhe më 19 dhjetor në fshatin Zharrëz ra tërmet me fuqi 4 ballë” pa dhënë asnjë sqarim të mëtejshëm.

Specialistët e sizmiologjisë janë shrpehur se ata nuk janë në gjendje të identifikojnë shkakun e lëkundjve por vetëm forcën dhe vendshpërndarjen e lëkundjeve.

Ky nuk është rasti i parë ku kompania Bankers rrezikon jetë e banorëve të fshatrave pranë puseve të naftës.

Në vitin 2013 banorët e këtij fshati u përballën me tri lëkundje të forta sizmike me fuqi katër ballë. Në protestë banorët bllokuan rrugën Fier-Berat dhe hynë në grevë urie derisa qeveria pezulloi aktivitetin e kompanisë.

Në vitin 2015 qeveria pezulloi aktivitetin e Bankers Petroleum sepse gjatë shpimit të një prej puseve të naftës u çlirua në ajër gaz i dioksididit të karbonit.

Qeveria i vendosi disa kushte kompanisë përpara se ajo të lejohej të fillonte punë. Kompania filloi punë pak kohë më pas, por ende nuk janë bërë publike nëse kompania i ka plotësuar kushtet e vendosura nga qeveria.

Fshati Zharrëz është fshati më i madh në pellgun naftëmbajtës Patoz-Marinzë ku zhvillon aktivitetin kompania Bankers Petrolium, zonë me shtrirje të gjerë në pothuajse 30 fshatra.

Bankers Petroleum shfrytëzon 1370 puse nafte.

Bankers Petroleum është një ndër ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në vend dhe shfrytëzues thuajse pa asnjë kompensim për vendin i një prej pasurive më të mëdha tona natyrore.

 

Lajme te ngjashme