Një kandidat shqiptar për Bashkinë e Parmës

Një kandidat shqiptar për Bashkinë e Parmës

Gentian Alimadhi, emigrant shqiptar në Itali, do të kandidojë për kryetar të Bashkisë së Parmës, qytet në të cilin u vendos para gati një çerek shekulli.

Zoti Alimadhi vjen nga një familje e njohur e Skraparit, i ngelur i vetëm në Shqipëri, në një moshë të re ndoqi zinxhirin e të afërmve që emigruan dhe mbërriti në Parma në vitin 1993. I diplomuar për juridik, bëri praktikën dhe arriti të marri titullin e avokatit, duke dalë i pari nga të gjithë studentët shqiptarë në Itali. Është i martuar me dy fëmjë.

Më 19 shkurt të vitit 2017 mijëra qytetarë të Parmës do të votojnë për kryetarin e ri të bashkisë. Ata do të duhet të zgjedhin ndërmjet katër kandidaturave. Ndër to, vetëm Gentian Alimadhi nuk ka lindur në Itali, por e ka përfituar qytetarinë italiane vetëm prej gjashtë vitesh.

Parma është një qytet i pasur në zonën e Emilias në Itali. Vendasit megjithëse janë mësuar me praninë e shumë studentëve të huaj, apo vizitorëve të shumtë që vijnë në qytet për arsye biznesi apo thjesht kulturore, ata asnjëherë nuk i kanë pranuar më të vërtetë të huajt apo emigrantët.

Këtë gjë e dinë shumë mirë picierët e ardhur nga jugu i Italisë, të cilë tani po hakmerren duke mbështetur “shqiptarin”.

Kandidatura e Gentian Alimadhit sigurisht që ka një histori nga mbrapa. Avokati i ri shqiptar është integruar në jetën profesionale dhe sociale të qytetit. Së fundmi, ai është vlerësuar me çmimin S. Ilario, çmimi më i lartë i komunës së Parmës për kontribute në shoqëri. Përpara tij me këtë çmim janë vlerësuar personazhe të famshëm të Parmës si industrialisti Pietro Barrila dhe shkrimtari Alberto Bevilacqua.

Gjithashtu, Alimadhi është themeluesi i Shoqatës Shqiptare Scanderbeg në Parma. Një shoqatë, që disa herë në vit, mbledh disa qindra shqiptarë që prej vitesh jetojnë dhe punojnë në Itali. Falë angazhimit të vazhdueshëm, ajo është kthyer në një pikë referimi për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Itali. Gjithashtu, në të përfshihen një skuadër futbolli, një shkollë e gjuhës shqipe, një grup kërcimi dhe një forum i studentëve shqiptarë.

Kandidatura e një emigranti, të përshtatur plotësisht në shoqëri, duhet të ishte një krenari, në veçanti për mbështetësit e të majtës, e cila gjithmonë ka qënë e hapur dhe tolerante për çështjen e emigracionit. Por kësaj here e majta e Parmës duket se është e bezdisur nga kjo kandidaturë.

Pikërisht prania e rreth tetë mijë emigrantëve shqiptarë në qytet, shumë prej të cilëve qytetarë italianë, përbën një motiv të fshehtë diskutimi në dhomat e pushtetit politik të Parmës: gjatë primareve të qendrës së djathtë për zgjedhjen e kandidaturës për kryebashkiak të Parmës në vitin 2012 votuan 8,400 qytetarë. Gjysma e tyre votuan për kandidaturën e Partisë Demokratike, e cila humbi thellë në balotazhin me kryebashkiakun aktual Federico Pizzarotti të Lëvizjes Cinque Stelle.

Frika për elitën politike të PD-së është se nëse Alimadhi arrin të thërrasë në votime të gjithë shqiptarët, kandidatët e tjerë mund të humbin. Edhe, sërish, ashtu sikurse ka ndodhur prej më shumë se 20 vitesh, PD nuk do të mund fitojë Bashkinë e Parmës.

Dhe Parma pasi ishte i pari qytet, i cili zgjodhi kryebashkiakun e parë të Lëvizjes “Cinque Stelle”, mund të jetë edhe qyteti i parë të zgjedhi për kryebashkiak një “emigrant shqiptar”.

Lajme te ngjashme