A e detyroi CIA policinë shqiptare të fillojë operacionin për kapjen e Balilit? Drejtor i CIA-s John Brennan

Para pak ditësh, Shqipërinë e vizitoi drejtori i CIA-s John Brennan. Ai u takua në Tiranë me Presidentin Nishani, Kryeministrin Rama, Ministren e Mbrojtjes Kodheli.

Drejtori Brennan zhvilloi edhe një takim të pazakontë por domethënës me Drejtorin e Policisë Haki Cako.

Burime konfidenciale nga policia njoftojnë se qëllimi i takimit ka qënë mosbashkëpunimi i qeverisë shqiptare në disa operacione kundër drogës ku ka qënë e përfshirë edhe agjencia amerikane kundër drogës DEA.

Rasti më i bujshëm është ai i Klemend Balilit. Edhe pse hetimi dhe operacioni kundër Balilit ishte zhvilluar nga policia greke në bashkëpunim me DEA-n, policia shqiptare fillimisht refuzoi të mbante nën mbikëqyrje dhe ta ndalonte atë, me justifikimin se kërkesa e palës greke ishte bërë me gojë dhe jo më shkresë zyrtare.

Policia greke u detyrua të paraqiste kërkesë me shkrim, por ndërkohë Klemend Balili u largua dhe është ende sot një nga njerëzit më të kërkuar të Ballkanit.

DEA amerikane ka qënë e përfshirë në disa operacione me policinë italiane për trafikimin e drogës nga Shqipëria në Itali, për të cilat, gjithashtu policia shqiptare ka qënë e ngathët në bashkëpunimin e saj.

Ky informacion bëhet i besueshëm për shkak të reagimit të menjëhershëm të autoriteteve shqiptare pas largimit të drejtorit të CIA-s për rastin Balili.

Sot, forca të shumta policie u mobilizuan në jug të vend në kërkim të tij dhe Gjykata e Krimeve të Rënda lëshoi urdhër arrest për të.