Karteli i kompanive të sigurisë fizike

Karteli i kompanive të sigurisë fizike Foto Ivana Dervishi

Në tenderat e dhëna në 30 ditët e fundit nga institucionet shtetërore si Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR), Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Posta Shqiptare e agjenci të tjera shtetërore, kompanitë private të sigurisë fizike dhe të pronave kanë paraqitur për të njëjtin shërbim oferta me të njëjtin çmim.

Sikurse e kemi shpjeguar më parë në një artikull për kompanitë e sigurimeve, krijimi i kartelave përmes përdorimit të të çmimeve fikse është në kundërshtim me ligjin e anti-kartel.

Çmimit i fiksuar dëmton tregun e lirë dhe prek qëllimin kryesor të prokurimit publik: të marrësh shërbime me një çmim konkurrues.

Autoriteti i Konkurrencës (AK) është institucioni që duhet të “luftojë” krijimin e këtyre kartelëve, për të cilët do të flasim me detaje më poshtë.

Në faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurencës shkruhet qartë se: “marrëveshjet [mes kompanive konkuruese për të njëjtin shërbim] që përcaktojnë [me dakordësi] çmimet e shitjes apo blerjes apo të ndonjë gjendje tjetër mbi tregtinë e [një produkti apo shërbimi] janë të ndaluara.

Veprimet e kompanive të sigurisë fizike janë hetuar më parë nga AK, e cila nuk ka arritur të gjejë asnjë shkelje ligjore.

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

Në katër tenderat e dhënë nga MMSR për sigurimin fizik të disa institucioneve nën varësinë e saj, të njëjta kompani kanë ofruar ekzaktësisht të njëjtin çmim.

Për shembull, në tenderin për mbrojtje fizike të institucionit të Shërbimit Social Shtetëror, kompanitë Arbana, Aulona Pol, Dea Security, International Security, Leksi Security, Nazeri 2000, NSS dhe SSX paraqitën të gjitha të njëjtën ofertë prej 1,936,205.01 lekësh ose sa 87 për qind e fondit maksimal në dispozicion.

Fituesi i këtij tenderi, Myrto Security, paraqiti ofertë ekzaktëshit të njëjtë me kompaninë Oktapus prej 1,505,937.23 lekë, dhe e fitoi tenderin me short.

Tenderi tjetër për mbrojtjen fizike të Qendrës së Emergjencave Kombëtare tregon sërish të njëjtin fenomen. Kësaj radhe dy kompanitë me oferta më të ulëta ishin Myrto Security dhe Oktapus me një shifër ekzaktëshit të njëjtë prej 1,505,937.23 lekësh. Kompania Oktapus fitoi me short.

Posta shqiptare

Në mënyrë të ngjashme edhe Posta Shqiptare ka dhënë disa tendera për sigurinë fizike të zyrave postare në qytete të ndryshme.

Për tenderin e zyrës postare Kukës, kompanitë Eurogjici Security, Sabeta, dhe Shtiqni ofruan të gjitha të njëjtën ofertën prej 1,434,997.80 lekë. Fituesi u përcaktua me short

Për ruajtjen fizike të zyrave të postës në Dibër, kompanitë Nazeri 2000, Res 03, dhe Safe ofruan të njëjtën ofertën prej1,434,854.52 lekë. Fituesi u përcaktua sërish me short.

Për zyrat e postës në Elbasan, kompanitë Eurogjici, Myrto, dhe Nazeri 2000 ofruan të njëjtën ofertën prej 6,931,980,00 lekë.

Eurogjici dhe Nazeri 2000 u përjashtuan për shkak se nuk kishin plotësuar dokumentet standarde të tenderit.

Kompania Myrto fitoi tenderin automatikisht.

Në Vlorë, katër kompani paraqitën të njëjtën ofertë prej 6,007,716,00 lekë. Këtë herë, Myrto dhe Eurogjici u skualifikuan pikërisht për të njëjtën arsye: gabime në dokumentet standarde të tenderit.

Kompania Nazeri 2000 u shpall automatikisht fituese.

Cilat janë shanset që tre kompani të ndryshme në dy tendera të ofrojnë ekzatësisht të njëjtën vlerë parash, dhe të skualifikohen për të njëjtën arsye?

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare

Shembulli i fundit ka të bëjë me sigurinë e ndërtesës së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Fondi maksimal për këtë tender ishte 2,883,600 lekë.

Njëzet e tre firma private sigurie fizike ofruan ekzaktësisht të njëjtën çmim prej 2,682,177.00 lekë, ose sa 93 për qind e buxhetit maksimal në dispozicion. Fituesi i ofertës u përcaktua me short.

Shembujt e tenderëve të dhënë më lart për 30 ditët e fundit janë vetëm maja e ajsbergut.

Institucionet shtetërore kanë gjithmonë nevojë për shërbimin e mbrojtjes fizike, ndaj nëse Autoriteti i Konkurencës nuk merr masa për shkatërrimin e mekanizmave të fiksimit të oferta, kjo situatë do të përsëritet duke dëmtuar tregun e lirë.

Lajme te ngjashme