Zhvatja e radhës e shëndetësisë publike

Zhvatja e radhës e shëndetësisë publike

Qeveria do të japë me koncesion të gjitha laboratorët e analizave të shërbimit spitalor—të gjithë laboratorët biokimikë, klinikë dhe mikrobiologjikë në 18 spitale të vendit.

Ashtu si me të gjitha koncesionet e mëparshme, Minsitria e Shëndetësisë nuk ka bërë publike asnjë informacion dhe asnjë procedurë në lidhje me hartimin e kësaj politike të re dhe zbatimin e saj në praktikë.

Por disa deklarata të shkurtra në media të Ministrit Beqaj, projektbuxheti i vitit 2017 dhe një email konfidencial i dërguar nga Ministria e Shëndetësisë, kanë zbuluar element të rëndësishëm të këtij koncesioni të radhës në shëndetësi.

Në projekt buxhetin 2017, është përfshirë një zë me emërtimin “Ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore” për të cilin janë parashikuar rreth 7 milionë euro.

Qeveria e ka quajtur skemën partneritet publik-privat, por në fakt bëhet fjalë për një koncesion të pastër: operatori privat ofron një shërbim “falas” për qytetarët, për të cilin ai do të paguhet me tarifa të përcaktuara nga qeveria përmes Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor.

Deputetët demokratë të komisionit parlamentar të Shëndetësisë kanë pohuar se në komision nuk është diskutuar asnjëherë për dhënien me koncesion të 18 laboratorëve spitalorë.

Pyetjeve të tyre për shpjegime dhe transparencë, Ministri Beqaj i është përgjigjur shkurt pa dhënë asnjë hollësi për koncesionin që minisitria e tij do të realizojë në javët e ardhshme.

Megjithëse ka folur pak, Ministri Beqaj përsëri ka bërë pohime që nuk përputhen me njëri-tjetrin duke ngriter dyshime serioze mbi projektin.

Më 5 dhjetor, në mbledhjen e Komisionit të Shëndetësisë, Ministri Beqaj pohoi:

Ne i kemi kërkuar IFC-së që të studiojë mundësinë për të administruar përmes partneritetit publik-privat shërbimet laboratorike të 5 spitaleve universitare të Tiranës, të 11 spitaleve rajonale, si edhe të spitalit të Lushnjës dhe atij të Sarandës.

I pyetur nga deputetët rreth studimit, ministri nuk pranoi të fliste për të duke thënë që ai nuk ka përfunduar ende.

Por deklaratat e mëvonshme të minsitrit për detajet teknike lidhur me punonjësit e laboratorëve dhe parashikimi i rreth 7 milionë eurove në buxhet për shërbimin e laboratorëve të bëjnë të besosh se studimi i IFC-së ka përfunduar, por qeveria nuk dëshiron ta bëjë atë publik.

Për më tepër, Zoti Beqaj ka zbuluar se Ministria ka një dije të qartë në lidhje me detajet e koncesionit pasi para pak ditësh ministri pohoi se:

Në këto 18 spitale janë rreth 420 veta që janë të punësuar për të ofruar këtë shërbim, nga të cilët 80 veta janë mjekë dhe kimistë. Këta të fundit do të vazhdojnë të jenë të punësuar pranë spitaleve publike, ndërsa personi tjetër do të jetë i punësuar pranë atij operatori që mund të dalë fitues nga tenderi.

Po ashtu, në një email konfidencial që Exit.al zotëron, dërguar më 10 nëntor 2016, nga ministria në drejtim të 18 spitaleve, ku kërkohet planimetria e detajuar e spitaleve, shkruhet:

Qëllimi i prezantimit nga ana e spitaleve i këtij materiali është  hapja e procedurës së koncesionit të laboratorëve për 18 spitale nga ana e MSH me konsulencën e IFC.

Emaili i Ministrise se Shendetesise derguar spitaleve Foto © Exit.al
Emaili i Ministrise se Shendetesise derguar spitaleve Foto © Exit.al

 

Pra, del qartë se studimi i bëshmërisë ka përfunduar dhe Ministria e Shëndetësisë do të nisë së shpejti procedurat tenderuese për këtë shërbim, i cili do t’i kushtojë qytetarëve rreth 7 milionë euro në vit.

Në total, të katër koncesionet e shëndetësisë—kontrolli shëndetësor (Check up), sterilizimi, hemodializa dhe shërbimi i laboratorëve—do të kushtojnë të paktën 30 milionë euro në vit.

Vendimi i qeverisë për dhënien me koncesion të laboratorëve ngre një pikëpyetje të madhe mbi një tjetër konçesion të dyshimtë dhe me gjasa klientelist të qeverisë.

Në kontratën e koncesionit të shërbimit të kontrollit të përgjithshëm shëndetësor të popullsisë (Check up) ishte parashikuar që kompania koncesionare Trimed shpk duhet të ndërtonte 20 laboratorë biologjikë dhe kimikë.

Deri tani ajo ka ndërtuar vetëm tre laboratorë të tillë, madje në vende të papërshtatshme, dhe ka nënkontraktuar laboratorë ekzistues në shkelje të plotë të kushteve të kontratës.

Nuk do ishte çudi që koncesionin për laboratorët e analizave ta merrte e njëjta kompani apo kompani të lidhura me të.

Lajme te ngjashme