Manjani kundër Tahirit: Kanabisi, problem shumë serioz, i frikshëm – Pikat kryesore të intervistës

Manjani kundër Tahirit: Kanabisi, problem shumë serioz, i frikshëm – Pikat kryesore të intervistës

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani bisedoi dje në mbrëmje me gazetarin Sokol Balla, në emisionin Top Story. Zoti Manjani foli për të ardhmen e koalicionit qeveritar, për kanabizimin e vendit dhe reformën në drejtësi.

Deklaratat kryesore të Ministrit Manjani ishin:

Për të ardhmen e koalicionit PS-LSI:

  • Është hedhur një barrë e padrejtë drejt LSI-së pse nuk përgjigjet për koalicion. Kujt t’i përgjigjemi ne?! Ka një ftesë dasme dhe asgjë tjetër. Ka deklarata “i madhi dhe i vogli…” dhe informacione që kemi edhe PDIU-në.
  • Ne kemi besuar dhe besojmë edhe sot që zgjedhjet i ka fituar e majta e bashkuar. Zgjedhjet i kemi fituar me Ben Blushin, jo me Shpëtim Idrizin. Shpëtim Idrizi është deputet që ka dalë nga lista e PD-së.
  • Ne duhet të konsolidojmë të majtën e bashkuar dhe jo po na doli ndonjë gjë plus, hajt ta marrim. Është një koalicion numrash pastaj, që ta mbyllim PD-në e të mos ketë më opozitë.
  • Ne duhet të sqarojmë të konsolidojmë të majtën e bashkuar, jo të bëjmë një koalicion numrash. Ky është mendimi im, jo i LSI-së.

Për luftën ndaj kanabisit:

  • Problemi është shumë serioz. Duhet të shkulim hashashin nga toka dhe koka e shqiptarit.
  • Fenomeni ekziston dhe ekziston në mënyra të frikshme. Shqipëria po jep një imazh gjithnjë e më shumë që po kultivon hashash.
  • Ka një konsensus të përgjithshëm që fenomeni është përhapur dhe kjo është pozitive.
  • Nëse ne nuk ndërhyjmë, siguria është shumë herë më e rrezikuar se gjithë fenomenet e tjera.
  • Ne duhet ta ndalim me çdo kusht, me ushtri, xhandarmëri e të tjera. Unë jam për rikthimin e xhandarmërisë për të kontrolluar territorin.
  • Për të shkuar partizan në mal tek hashashi, çmimi luhatet nga 20 mijë deri në 40 mijë lekë. Pra njerëz që i shihnim rregullisht, këto kohë kanë preferuar të dalin partizanë e të bëjnë këtë punë të paligjshme.

Për reformën në drejtësi:

  • Sot është një situatë kaotike në sistemin gjyqësor, sot askush nuk kontrollon askënd sepse KLD, ministri i Drejtësisë dhe Këshilli i Prokurorisë nuk inspektojnë dot sepse janë ngritur me ligjet e vjetra. Na thuhet që të vazhdojmë me ligjet e vjetra deri në njëfarë pike, por ece e gjeje. Institucionet e reja duhet të ngrihen një orë e më parë.
  • Ka plot padrejtësi… Një kryetar bashkie që është në burg tek Krimet e Rënda, se i kërkoi një vajze diçka dhe kemi dhe kryetar bashkie që kanë shit femra dhe janë në detyrë.
  • Drejtësia në këtë vend vendoset vetëm nëse vullneti për të zbatuar atë që kemi rënë dakord është i hekurt.
  • Gjithë procesi i reformës në drejtësi procesi ishte shumë i vështirë, jo korrekt në kuptimin politik dhe profesional. Kur kam filluar si ministër as draftet nuk na jepnin. Ishte një proces me shumë pakuptueshmëri.
  • Na u shitën ekspertët sikur ishin qendra e botës. Një pjesë e ekspertëve kanë qenë të fondacionit Sorros dhe disa ekspertë janë paguar nga Sorros.
  • Nëse vërtet ndryshimet kushtetuese do të bëheshin me atë që e quajtën konsensus patriotik me deputetë që gdhihen majtas dhe ngrysen djathtas, mund të kishim edhe një qeveri tjetër.
  • Kushtetuta e 1998-ës ishte një Kushtetutë më e mirë se kjo që kemi të paktën teknikisht.
  • Gabimi që kemi bërë me Kushtetutën e vitit 1998, ishte që e bëmë shumë të mirë, por pa konsensusin e opozitës dhe e masakruam atë ndër vite. Tani askush nuk ka gojë që të thotë jo unë s’jam dakord.

Për Qeverinë Rama-Meta dhe opozitën:

  • Kjo Qeveri është më e mirë se Qeveria që shkoi. Ka tregues të matshëm sasiorë dhe statistikorë shumë më të mirë se Qeveria e shkuar.
  • Logjika e LSI-së është që të respektojmë institucionet që kemi zgjedhur dhe që janë në punë ende.
  • Kam propozuar disa projektligje, nuk e di pse nuk kalojnë. Nuk jam ende në pozitën që të dal në konkluzionin që qeveria ku unë bëj pjesë është një qeveri monstruoze.
  • Unë nuk mund të konceptoj që ministri duhet t’i marrë leje Endri Fugës për të dhënë një intervistë.
  • Demokracia ka nevojë për ndërhyrje të thella, në sistemin zgjedhor, median e lirë dhe me opozitën. Opozita duhet respektuar.
  • Nuk ka faj opozita për problemet e vendit. I vetmi faj i opozitës është se është në opozitë.

 

Lajme te ngjashme