Sheshi Skënderbej, Fusha shpk fiton tenderin pa konkurrencë

Sheshi Skënderbej, Fusha shpk fiton tenderin pa konkurrencë

Kompania e ndërtimit Fusha shpk është shpallur fituese e tenderit për fazën e dytë dhe të fundit të rikualifikimit urban të Sheshit Skënderbej. Tenderi u hap nga Bashkia Tiranë më 5 dhjetor 2016 dhe njoftimi i fituesit u publikua sot në Buletinin e Prokurimeve Publike.

Më parë, e njëjta kompani ka fituar tenderin për ndërtimin e parkimit nëntokësor dhe për fazën e parë të rikualifikimit të sheshit.

Kompania Fusha shpk ishte e vetmja ofertuese në këtë tender dhe oferta e saj (rreth 7,1 milion euro) ishte sa 99,9 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion. Në dy tenderat e parë, ka pasur më shumë se një kompani në konkurrim.

Në total, Fusha shpk do të paguhet me rreth 12,6 milionë euro për të gjithë projektin. Edhe pse rikualifikimi i sheshit nisi përpara miratimit të Masterplanit të Tiranës, ky projekt është kthyer tashmë në një nga ndërhyrjet më të kushtueshme arkitektonike në qytet. Kjo ka ndodhur dhe për faktin se e njëjta kompani është shpallur fituese në tre tendera duke paraqitur ofertën pothuaj të njëjtë me fondin maksimal të vënë nga buxheti i shtetit.

Procedurat e prokurimit publik janë një mënyrë për t’i siguruar qeverisë shërbime me çmime konkurruese, por në këtë rast duket se qëllimi i tyre është favorizimi i kompanive pranë qeverisë.

Lajme te ngjashme