Demagogjia e riciklimit dhe kulisat për fitime private

Nga Artan Rama
Demagogjia e riciklimit dhe kulisat për fitime private

Vetëm pak orë dhe ndryshimet në ligjin e mbetjeve do të vendosen, më në fund, në tryezën e Kryetarit të Kuvendit.

Por Ilir Meta nuk do ta dëshironte këtë çast, pikërisht kur vendimi i tij dhe i grupit që ai përfaqëson mund të zhgënjejë mijërat e aktivistëve e të qytetarëve që e kundërshtuan ligjin, në pikën më të diskutueshme të tij, atë të importit.

Pesë muaj më parë, së bashku me një pjesë të deputetëve, ai ia kishte dalë ta shmangte përgjegjësinë personale, duke u larguar nga salla përpara votimit që rilejoi improtin e plehrave, ndërsa jashtë aktivistët dhe qytetarët protestonin kundër miratimit të ndryshimeve.

Por tani, kur ligji i miratuar është kthyer nga Presidenti dhe kur shumica, me vullnet e këmbëngulje të padukshme, nuk po tërhiqet, Ilir Meta nuk mund të fshihet më. Sepse në 2 shkurt, dekreti presidencial e ka kthyer ligjin në seancë dhe me shumë gjasa ai mund të rrëzohet.

Por natyrisht ky nuk është një vendim i lehtë, sepse mijërat e protestuesve janë mijëra vota të cilat Kryetari i Kuvendit rrezikon t’i humbasë.

Ilir Meta nuk është i vetëm. Bashkë me të është Eduart Shalsi. Me ta janë ricikluesit, biznesmenët e drurit dhe të letrës, Kryeministri dhe si gjithmonë disa ambientalistë, klientë të përhershëm qeverish.

Këtij bashkimi interesash i është shtuar edhe një anëtar i ri: ish Presidenti Moisiu, që ashtu si Edi Rama dikur ishte ithtar kundër importit, por sot “mendon” se bëhet fjalë për mbetje e jo plehra.

Pas pesë muajsh protesta, tryeza të porositura, tabllo propagande dhe kulisa lobimi, komedia do të përfundojë më 2 shkurt.

Por për të kuptuar se përse mbështetësit e importit nuk tërhiqen, në shpërfillje të plotë ndaj ambientalistëve dhe një shumice qytetarësh të prfshirë në protesta, po tregoj shkurtimisht se çfarë planesh u përdorën për të mbërritur deri këtu.

Fillimisht propozimi erdhi prej një grupi të vogël deputetësh e jo prej qeverisë. Në këtë mënyrë qeveria po synonte të shmangte një reagim të pritshëm kundër saj, si pasojë e zhgënjimit të mundshëm ndaj votuesve të cilëve u kishte premtuar në fushatë dhe ja u kishte plotësuar qysh në ditën e parë të punës: moslejimin e importit të mbetjeve.

Përpjekja për të futur në lojë deputetët dhe jo ekspertët qeveritare, ishte vetëm një taktikë, por kjo taktikë dështoi.

Siç pritej, projekti u kundërshtua dhe AKIP, një aleancë me një traditë dhe një identitet të qartë kundër importit të mbetjeve, organizoi një protestë popullore. Reagimi tregoi se komuniteti e ruante ende ndjeshmërinë për çështjet mjedisore. Ajo që kishte ndryshuar ishte qeveria.

Në Sallën e Hartave, Kryeministri organizoi një tryeze me pjesëmarrjen e ricikluesve, ku vemendja u përqëndrua te fjala dhe argumentat e e tij, pro importit të mbetjeve. Ambientaliste e vetme në Sallë u vetëdeklarua Ornela Çuçi, administratorja e UET-së, e cila, pas fjalimit kundër ambientalistëve protestues, u shpërblye me një detyrë të re: Këshilltare Kombëtare Pranë Kryeministrit për Çështjet Mjedisore!

Gjatë fjalimit, Kryeministri denoncoi edhe një “komplot” kundër tij nga mafia, e cila në bashkëpunim me median po mbështeste interesa të caktuara politike.

Kjo paranojë i zemëroi edhe më shumë aktivistët dhe organizatat mjedisore. Protesta e tyre përpara Kuvendit ditën e votimit siguroi mbështetje minimale votash për ligjin, dhe do të kishte qënë akoma më e suksesshme, nëse deputetët e PD-së do ta kishin lënë sallën përpara votimit, duke e zvogëluar pjesëmarrjen deri në kuotën e mosarritjes së kuorumit të nevojshëm për legjitimimin e votimit.

Kështu, në 22 shtator 2016, vetëm me 63 vota pro, Kuvendi miratoi ligjin me Nr. 10 463, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Ilir Meta së bashku me disa deputetë te LSI-së dhe PDIU-së nuk ishin në sallë gjatë votimit!

Por kishte akoma edhe një pengesë. Presidenti ushtroi fuqitë kushtetuese dhe përmes argumentave, pas diskutimeve publike me grupet e interesit dhe me ekspertë, e ktheu ligjin në Kuvend, tre javë më vonë.

Për rreth dy muaj, dekreti presidencial u end nëpër korridoret e Kryesisë së Kuvendit, si një fantazmë, pa arritur të siguronte mbështetjen e nevojshme që kërkohej për t’u rrëzuar. Ndonëse shfaqej, pothuajse çdo javë, në kalendarin javor të punimeve, ai tërhiqej në çastin e fundit, pa mundur të përfundonte në seancën plenare.

Deputeti Ben Blushi i denoncoi manovrat e fshehta lobiste, përmes të cilave deputetët propozues po kërkonin të siguronin votat e nevojshme. Kuptohet, synohej LSI-ja dhe PDIU-ja.

Tamam këtu zë fill një taktikë e re.

Në 29 dhjetor, Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese prodhon një dokument të ri, ku kërkoheshin nga grupet e interesit, propozime për të përmirësuar ligjin! Pavarësisht, kundërshtive nga opinioni publik, mbështetjes së dobët në Kuvend dhe kthimit nga ana e Presidentit, shihej qartë se shumica nuk po tërhiqej.

Por më shumë se çudi, kjo ishte një shaka e hidhur. Sepse ajo çka duhej kryer qysh në fillim, pra dëgjesat dhe diskutimi publik me pjesëmarrjen e ekspertëve, po kërkohej tani, kur procesi kishte përfunduar. Dhe akoma më shumë, Eduard Shalsi po tentonte modifikime dhe jo një hartim në themel të ligjit, nga e para.

Të parët reaguan ambientalistët dhe ekspertët. Deklarata e përbashkët e disa dhjetëra shoqatave mjedisore dhe ekspertëve të fushës kërkoi rrëzimin e plotë të ligjit të mbetjeve dhe hartimin e një tjetër ligji, i cili duhet të paraprihej me një studim mbi gjendjen e tanishme të mbetjeve dhe nevojave të vendit për menaxhimin e tyre.

Paralelisht, thuhej në deklaratë, shteti duhej të kontribuonte që përmes masave administrative të sigurohej ndarja e mbetjeve në burim, si dhe të ngrihej Komiteti Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve me kapacitete monitoruese dhe ekspertizë.

Ricikluesit nuk vonuan! Dhjetë ditë më vonë, ata përgatitën tryezën e tyre. Në karrige u ul dhe ish-Presidenti Moisiu, tashmë, i shndërruar në ithtar të importit të mbetjeve. Mendimi i tij kishte ndryshuar dhe besimi tek institucionet shtetërore ishte rritur! Sipas tij, tani, problemi qëndronte te kundërshtarët e ligjit e jo të ligjvënësit.

Në tryezë, me ricikluesit ishin përzgjedhur edhe disa gazetarë të fushës. Mesa duket, përmes programeve televizive, synohej të arrihej një akses më i madh publik.

Ndonëse diskutimet zgjatën më shumë se katër orë, në fund, u lexua një deklaratë e përgatitur qysh më parë. Thelbi ishte, të lejohej “importi i mbetjeve të ngurta të listës së gjelbër si lëndë dytësore”, por të hiqej “si përdorues i lëndëve të para nga industria”.

Këtë javë, afati për dërgimin e propozimeve kaloi dhe Eduard Shalsi, propozuesi i mbetjeve nga importi, do t’i shqyrtojë në Komision për t’ia bashkangjitur dekretit të presidentit në datën 2 shkurt në seancë plenare.

Por në pesë muaj, shumë gjëra kanë ndryshuar. Dhe këtu ia vlen të ndalemi pak.

Kohët e fundit qeveria ka lejuar dhe ka mbështetur financiarisht ndërtimin e një numri impiantesh për trajtimin dhe djegien e mbetjeve. Gjithashtu, janë nënshkruar një numër kontratash bashkëpunimi të Partneritetit Publik Privat për trajtimin e mbetjeve urbane, por ende nuk shihet asnjë masë administrative nga qeveria për të realizuar ndarjen e mbetjeve në burim.

Tani, në kushtet kur teknikisht në impiantet e djegieve nuk lejohet futja e mbetjeve të përziera, shtrohet një pyetje e thjeshtë: me çfarë lënde do të mbushen këto impiante djegiesh, kur dihet se do të importohen vetëm mbetje të ndara?

Pra, a synon ky ligj, riciklimin apo kompesimin e kapaciteteve të pashfrytëzuara të impianteve të djegies? Ne ende nuk kemi asnjë informacion mbi kapacitetet e tyre, pasi ato mbahen të fshehura, për shkak të klauzolave të kontratës koncesionare, e cila premton ruajtjen e konfidencialitetit. Ministria e Mjedisit nuk i është përgjigjur kërkesave të ambientalistëve për transparencë.

Dhe këtu mbërrijmë në një pikë, ku përgjegjësia i takon qeverisë, drejtpërsëdrejt!

A mos vallë, përmes kësaj politike (e gabuar, në rastin më të mirë), qeveria po synon të shkatërrojë edhe biznesin e riciklimit? Sepse duke lejuar ndërtimin e impaintëve djegëse në çdo qark, ajo po u kundërvihet ricikluesve, duke u imponuar atyre importin në kurriz të riciklimit?

Qeveria e ka për detyrë të largojë dyshimet dhe “pluhurin” e shkaktuar mbi sponsorizime të mundshme klienteliste të hamendësuara.

Në pothuajse katër vite, kjo qeveri dështoi të asgjësojë mbetjet e saj. Ministria e Mjedisit, përmes institucioneve të specializuara, nuk kryen asnjë kontroll mbi mbetjet dhe kapacitetet e saj janë të kufizuara për një projekt të tillë.

Suksesi i vetëm i qeverisë janë VKM-të e lejeve dhe të bonuseve për ndërtimin e inceneratorëve.

Dhjetorin e shkuar, Open Data Albania, një projekt që siguron transparencë përmes publikimit të të dhënave zyrtare, raportoi se një pjesë e aksioneve të kompanisë, e cila gëzon të drejtën nga qeveria për të ndërtuar një impiant djegieje në Qarkun e Fierit,u shitën për 30 mijë lekë! Dhe bëhet fjalë për një investim që kushton miliona euro!

Një tjetër kompani që po ndërton i impiantin e djegies në Elbasan, përveç lejeve do të përfitojë miliona euro fonde buxhetore përmes një bonusi të dhënë nga qeveria shqiptare!

Akoma më e dyshimtë bëhet situata kur pronësitë mbi inceneratorët po përqëndrohen në pak duar.

Pra, sado e madhe propaganda e qeverisë, përmasat e problemit e tejkalojnë atë.

Ndaj dhe përfundimi i ambientalistëve dhe i shoqatave mjedisore se ky ligj nuk duhet të kalojë, duhen marrë në konsideratë. Ndryshimet e ligjit nuk mjaftojnë.

Por ndoshta ky qëndrim nuk do të arrijë dot ta rrëzojë ligjin në Kuvend. Dhe debatet politike, gjoja në emër të mjedisit dhe të shëndetit publik, përmes procesesh rishqyrtimi janë thjesht një zhurmë, që nuk duhet t’i shushasë aktivistët.

Kryetari i Kuvendit ka ende dhe pak kohë, deri të enjten, për të vendosur nëse do t’i kalojë ndryshimet apo do ta rrëzojë ligjin. Por një gjë është e sigurtë qysh sot: ligji ka më shumë arsye për t’u rrëzuar se kurrë më parë.

Ndaj ky rivotim është edhe një mundësi për të kuptuar, nëse i tërë procesi i rishqyrtimit ishte një alibi, një lojë kulisash dhe prapaskenash përfitimesh personale politike, gjoja për një mjedis më të pastër, apo një fitore e vërtetë e qytetarisë.

Lajme te ngjashme