Dyshime për aferë korruptive të Ambasadores Vlahutin

Dyshime për aferë korruptive të Ambasadores Vlahutin

E përditshmja Dita ka botuar sot një raport në lidhje me blerjen nga Ambasadorja e BE-së në Tiranë të një vilë me vlerë 1,64 milionë euro në kompleksin luksoz Rolling Hills, në periferi të Tiranës, si rezidencë zyrtare.

Gazeta shprehet se ky çmim, i cili është negociuar nga Ambasadorja, është disa herë më i lartë se çmimi i tregut me të cilat janë shitur vilat identike në atë kompleks. Çmimi i blerjes nga BE është rreth 4700 euro për metër katror, ndërkohë që çmimet e tregut për vilat në këtë kompleks variojnë nga 1 mijë deri në 2 mijë euro për metër katror.

Vila e BE-së në komplesin luksoz Rolling Hills është vila e shitur më shtrenjtë në të dhe një ndër vilat e banimit të blera më shtrenjtë në historinë e Shqipërisë.

Gazeta Dita ngre dhe një sërë pikëpytjesh të tjera në lidhje me procedurën e blerjes, përfshi blerjen pa procedurë konkurruese, dhe mbi të gjitha blerjen nga një person fizik, burimi i pasurisë së të cilit është i paqartë.

Exit është informuar se negociatat për blerjen e vilës janë kryer fillimisht nga një studio e njohur ligjore në Tiranë, por pastaj Ambasadorja Vlahutin ka vendosur të negociojë personalisht me shitësin, duke shmangur juristët.

Blerja e një banese për ambasadorin e BE-së është e pazakontë, duke qenë se BE i ka marrë të gjitha me qira këto banesa, me përjashtim të rreth 7-8 vendeve në botë, të gjitha jashtë Europe. Përjashtimi në rastin e Shqipërisë duket i pakuptimtë nisur nga fakti me anëtarësimin e vendit tonë në BE nuk do të ketë më ambasador të BE-së në Tiranë.

Vlen të theksohet se zyrat e Delegacionit të BE-së në Tiranë janë në mjedise të marra me qira.

Ambasadorja Vlahutin, e cila nuk është punonjëse karriere e BE-së, por emërim politik i Kroacisë në kuadrin e posteve që Kroacia përfiton si anëtare e BE-së, ka patur problem në vendin e saj në lidhje me deklarimin e pasurisë.

Në vitin 2015, Komisioni për Konfliktin e Interesit në parlamentin kroat kreu hetim administrativ ndaj Vlahutin për fshehje të pasurisë, vetëdeklarim të rremë të pagës dhe pasurive të paluajtshme. Komisioni arriti në përfundimin se Zonja Vlahutin ka shkelur ligjin kroat për deklarimin e pasurive. Megjithatë, duke qenë se ajo nuk paguhej prej më shumë se një viti nga sektori publik kroat, komisioni vendosi të mos marrë masë ndëshkuese për mosdeklarim.

Ambasadorja Vlahutin ka qenë një nga aktorët kryesorë të miratimit të reformës në drejtësi në Shqipëri. Ajo ka mbajtur në mënyrë të dukshme qëndrime proqeveritare gjatë gjithë procesit të hartimit dhe miratimit të reformës.

Ndërkohë, Ambasadorja ka heshtur plotësisht për problemet e tjera të vendit, përfshi kultivimin dhe trafikimin e drogës, krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Qëndrimet e saj kanë qenë disa herë të ndryshme nga qëndrimet e drejtuesve të larta të BE-së, veçanërisht në lidhje me kushtet e hapjes së negociatave të BE-së me Shqipërinë. Dhjetorin e kaluar, BE vendosi të mos hapë negociatat me Shqipërinë, duke shprehur shqetësime për mungesën e përparimit nga Shqipria dhe duke kërkuar plotësimin e pesë kushteve, për të cilat Ambasadorja Vlahutin nuk kishte përcjellë asnjë shqetësim më parë për publikun shqiptar.

Në mënyrë të pashpjegueshme, edhe pas këtij vendimi Ambasadorja Vlahutin vazhdoi të mohojë ekzistencën e kushteve siç kemi shpjeguar në një artikull të mëparshëm.

Lajme te ngjashme