Zëdhënësja e BE-së, vila e Ambasadores Vlahutin zgjedhja e duhur

Zëdhënësja e BE-së, vila e Ambasadores Vlahutin zgjedhja e duhur Një nga vilat në kompleksin rezidencial Rolling Hills

Maja Kocijancic, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, Francesca Mogherinit, iu përgjigj dje akuzave për vilën 1,6 milionë euro të blerë nga Ambasadorja Vlahutin.

Zonja Kocijancic u shpreh se vendimi për të blerë vilën e kreut të Delegacionit erdhi pas një analize të gjatë të bazuar në studim tregu dhe vlerësim nga ekspertët e pavarur, si dhe nën këshillimin e Zyrës Rajonale të Sigurisë EEAS (Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian) për kriteret e sigurisë.

Ky ishte variant më i mirë përsa i takon raportit çmim-cilësi dhe përmbushjes së nevojave të godinës, e cila shërben si rezidencë e kreut të Delegacionit, si siguria, lehtësirat, dhe afërsia me zyrat e delegacionit. Vendimi u miratua nga Autoriteti Buxhetor pranë BE-së, në janar të vitit 2015.

Është shumë e rëndësishme për institucionet e BE-së që buxheti të shpenzohet në mënyrë korrekte, transparente dhe në përputhje me marrëdhënien çmim/cilësi.

Në deklaratën e saj Kocijancic nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me rezidencën e Ambasadores Romana Vlahuti, në veçanti atyre mbi çmimin dhe cilësinë.

Vila kushton dy herë më shumë se sa vilat e tjera përqark saj, dhe pjesa më e madhe e tyre zotërohet nga biznesmenë shqiptarë, personazhe të medias, gjyqtarë dhe politikanë të lartë.

Për më shumë, argumenti i afërsisë, i përmendur nga zëdhënësja, është tërësisht qesharak. Rolling Hills ndodhet jashtë qytetit, pas qendrës tregtare TEG, dhe aspak afër me zyrat e Delegacionit të BE-së të ndodhura në qendër të qytetit (në qendrën tregtare COIN).

Përgjigjia evazive e zëdhënëses së BE-së ndaj pyetjeve të mediave është e çuditshme, duke marrë parasysh faktin se ajo në shumë raste ka përkrahur përgjegjësinë e BE-së përkundrejt medias së lirë, duke u shprehur se:

Kritikat e medias [….] është thelbësore për të siguruar përgjegjëshmërinë e qeveritarëve të zgjedhur; qeveritë duhet të jenë të gatshme të veprojnë mbi këto kritika në një mënyrë transparente dhe domethënëse, në vend që të përpiqen t’i mbysin ato.

Delegacioni i BE-së në Tiranë është përfshirë edhe më parë në histori korrupsioni. Në vitin 2007, dy italianë, një përfaqësues i Komisionit Evropian dhe një tjetër asistent në Parlamentin Evropian u arrestuan për korrupsion, të dyshuar për “marrje rryshfeti nga kompanitë e pasurive të paluajtshme dhe të sigurimit në këmbim të dhënies së kontratave të qerasë dhe sigurisë për godinat e komisionit në Tiranë dhe në New Dehli.

Lajme te ngjashme