Hipokrizia e Edi Ramës për 21 janarin e 18 shkurtin

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Hipokrizia e Edi Ramës për 21 janarin e 18 shkurtin Protesta e 21 janarit 2011

Në monologun e javës, Kryeministri Rama komentoi protestën e organizuar nga opozita më 18 shkurt, përpara kryeministrisë.

Dje pamë të gjithë një protestë të thirrur prej opozitës prej javësh, e cila na bëri dallimin me protestën e 6 viteve më parë kur protestusit u vranë barbarisht, u plagosën e u rrahën, dhe pse s’bënë asgjë më shumë se qytetarët që u mblodhën dje në Bulevard.

Me këto fjalë, Kryeministri Rama i referohet protestës së 21 janarit, të organizuar nga ai vetë, ku katër protestues u vranë nga Garda e Republikës.

Është e vërtetë që ka një diferencë të madhe (të paktën për momentin) në mënyrën se si shteti ju përgjigj dy protestave, të 21 janarit dhe 18 shkurtit, por nëse kjo diferencë tregon integritetin e Qeverisë Rama, kjo është e dyshimtë.

Zoti Rama, gjithashtu, vuri në dyshim besueshmërinë e opozitës për të pasur pretendime për “zgjedhje të lira e të ndershme”. Edhe pse besueshmëria e opozitës mund dhe duhet të vihet në pikëpyetje, kjo nuk do të thotë se vetë Kryeministri Rama nuk po bën figurën e një hipokriti.

21 janar 2011

Protesta e 21 janarit ka qenë protesta e parë që kam përjetuar në Shqipëri, pasi kisha vetëm një vit që jetoja këtu. Kalova disa orë në këmbë në një prej anëve të Piramidës, me pamje nga makinat që po digjeshin, protestuesit e maskuar që godisnin me gurë policinë, turmën që sulmonte derën e kryeministrisë e një makinë që tentonte të çante gardhin.

Kur lexoj shënimet e asaj dite, vë re se të tjerë persona në protestë shpreheshin se ky ishte një “grusht shteti”, njësoj “si në vitin 1997”. Rrugës për tek një nga baret aty pranë, dëgjova shtënie me armë gjysmë-automatike. Më vonë pashë protestues që plaçkisnin dyqane.

Me fjalë të tjera, protesta e 21 janarit ishte krejt e ndryshme nga protesta e opozitës më 18 shkurt. Në ndryshim nga dhuna dhe shkatërrimi e 21 janarit, protestuesit e 18 shkurtit ishin paqësorë.

Shkaku për këtë ndryshim nuk ka shumë rëndësi për atë që unë dua të them. Nëse policia, protestuesit apo të dy bashkë ishin më pak provokues tani se sa 6 vjet më parë, kjo nuk është çështja që dua të ngre.

Çështja është se lloji i protestës dhe qëllimet e saj janë shumë të ndryshme.

Në vitin 2011, opozita e Edi Ramës kërkonte rrëzim të dhunshëm të qeverisë, ndërsa në vitin 2017, opozita e Lulzim Bashës kërkon qeveri teknike për të mbikëqyrur organizimin e zgjedhjeve.

Moment nga video mes Ilir Metes e Dritan Priftit

Ilir Meta

Duhet vënë po ashtu në dyshim e drejta morale e Kryeministrit Rama për të pretenduar për “drejtësi” për viktimat e 21 janarit. Para së gjithash, Zoti Rama është aktualisht në koalicion qeverisës me politikanin të cilin targetoi më 21 janar: kyetarin e LSI-së Ilir Meta, që në atë kohë ishte në koalicion me Partinë Demokratike, drejtuar nga Sali Berisha.

Ilir Meta u akuzua për korrupsion, në janar të 2011-ës, pasi një video e një bisede mes tij e ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, ku flitej për rryshfete në këmbim të koncesioneve, u bë publike.

Komenti i Ilir Metës për protestën e 21 janarit ishte:

“Edi Rama doli para medieve për t’u thënë të gjithëve dhe për t’i bërë budallenj të gjithë qytetarët shqiptarë se ishin provokuar halabakët e tij, kriminelët e tij nga makinat me ujë kur të gjithë e panë se për gati një orë banditët, kriminelët, kokëpalarët, të droguarit e Edi Ramës dhunuan, sulmuan me ç’patën mundësi policët e këtij populli të cilët janë njerëz, të cilat janë familjarë, të cilët kanë fëmijë, të cilët kanë kushërinj, të cilët kanë farefis dhe që duruan që u vetëpërmbajtën, që u vetësakrifikuan pikërisht për të mos dëmtuar halabakët e kriminelët që donin të merrnin dje pushtetin.

Sepse kështu u ishte premtuar të gjithë atyre që u sollën në Tiranë se dje do të merrej pushteti nga Edi Rama… [ky] bastard i cili nuk ka më asgjë politike, i cili e zëvendësoi Partinë Socialiste me krimin e organizuar dhe ordiner, i cili ndyu dje Tiranën, i cili gjakosi dje Tiranën.”

Ilir Meta formoi koalicion parazgjedhor e më pas qeverisës, vetëm dy vjet pas kësaj deklarate, me Edi Ramën. Zoti Meta vazhdon t’i quajë protestuesit e 21 janarit kriminelë e halabakë. Ky fakt mjafton për të treguar oportunizmin politik të Ramës dhe i bën deklaratat “emocionale” të tij, në kërkim të drejtësisë për katër të vrarë, të duken asgjë më shumë se lotë krokodili.

Thënë më thjeshtë, argumenti i qeverisë Rama, drejtuar kryesisht ndërkombëtarëve, se qeveria aktuale të paktën respekton të drejtën e qytetarëve për protestë është hipokrite. Qeveria Rama nuk do të ngurronte të përdorte dhunë nëse ndonjë protestues do të vepronte njësoj si protestuesit e 21 janarit.

Në vend që të përpiqet t’i mbushë mendjen ndërkombëtarëve, e vetmja mënyrë e qeverisë për të dalë nga kjo situatë është të marrë parasysh kërkesat dhe akuzat e opozitës, për korrupsionin e përhapur kudo, për kanabizimin e vendit, për kriminalizimin e parlamentit, për dështimin e reformës zgjedhore dhe për përfshirjen e KQZ-së në mbrojtje të krimit parlamentar.

Të gjitha këto akuza e kushte janë tashmë të përsëritura me mijëra herë nëpër raportet e ndërkombëtarëve apo si kushte të panegociushme për të hapur negociatat me BE-në. Ndaj të luash kartën e moralit në këtë situatë nuk është më e mjaftueshme.

Lajme te ngjashme