Vazhdon qëndresa, Paloka: Nëse nuk dëgjohemi, protesta përshkallëzohet

Vazhdon qëndresa, Paloka: Nëse nuk dëgjohemi, protesta përshkallëzohet Momente gjate bisedimeve ne çadren e protestes - Burimi: Facebook

Ka nisur sot dita e tretë e protestës së opozitës. Qindra të rinj, qytetarë e deputetë vazhdojnë të qëndrojnë në çadrën ngritur përpara godinës së kryeministrisë. Kërkesa e tyre kryesore është vendosja e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve. Sipas opozitës e mbështetësve të saj, Qeveria Rama nuk mund të sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Të rinjtë kanë kuvenduar me njëri tjetrin, por dhe me gazetarë,artistë e figura të tjera të njohura që janë të pranishëm në çadrën e protestës. Dje, gazetari Armand Shkullaku dhe gazetarja Sonila Meço shprehën mbështjetjen e tyre për qëndresën e qytetarëve deri në plotësimin e kushtit për zgjedhje të lira e të ndershme.

“E shoh këtë akt që keni nisur si diçka pa kthim. Unë mendoj se qendresa këtu e opozitës është mbështetja më e mirë, që opozita mund t’u japë qytetarëve”, deklaroi Zoti Shkullaku.

Deputeti Aldo Bumçi, në një intervistë për “News24” i bëri thirrje të gjithë partive politike e qytetarëve të lirë t’i bashkohen qendresës në çadër.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar Edi Paloka tha se protesta do të përshkallëzohet.

“Kërkesa është vetëm një, largimi i Edi Ramës, nuk ka asnjë obsion tjetër, pasi kushtet tona për të krijuar kuadrin ligjor që zgjedhjet të konsiderohen të paktën të besueshme u refuzuan.Nëse zotëria do bëjë indiferentin dhe arrogantin dhe protesta do të ketë përshkallëzim të saj.”

Kryeministri Rama e quajti protestën qesharake, në monologun e së dielës. Ai ka shmangur me të gjitha mënyrat ballafaqimin me protestuesit përpara godinës së Kryeministrisë. Më 18 shkurt, kur u zhvillua protesta e opozitës, Zoti Rama tha se do të ishte në Kosovë.

Lajme te ngjashme