Letër e hapur drejtuar Fatos Lubonjës

Nga Carloalberto Rossi
Letër e hapur drejtuar Fatos Lubonjës

Përsëri, me koherencën logjike që gjithmonë dallon mendimet tuaja, në artikullin tuaj “Si e mbështes protestën?” keni hedhur në letër, në mënyrë  të qartë dhe të lexueshme mendimin tuaj dhe, besoj, të  shumë shqiptarëve të tjerë.

Shumë qytetarë e shohin protestën të tërhequr, vijnë  rreth e rrotull “anijes” pa hipur në të dhe pa e shtyrë atë, qoftë se kanë pikëpamje të ndryshme për gjendjen aktuale të Shqipërisë, qoftë se kanë frikë se mos përdoren.

Por shumë nga ata që  janë  duke e ndjekur fshehurazi protestën po shpresojnë që dikush tjetër ta bëjë “punën” edhe për ta; që të dalë dikush tjetër e të marrë përgjegjësinë për t’i dhënë fund këtij kaosi social, ekonomik e politik që ka kompromentuar në mënyrë pothuajse të përherhsme shpresat e të gjithëve për të jetuar dhe ecur përpara në këtë vend; që të ketë të tjerë që  t’i bashkohen protestës për të çliruar bllokimin e tanishëm politik, për të  marrë situatën në favor të një përtëritje të vërtetë, për të ndërtuar “republikën e dytë”.

Nëse të gjithë rrinë e shohin protestën, fitojnë vetëm ata që spekullojnë me inercinë sociale shqiptare, me frikën e të shfaqurit publikisht, me pasivitetin paqësor të popullit shqiptar dhe më  pas të  gjithë  së  bashku do të ankohemi për rezultatin e munguar, për rastin e munguar dhe të  dëshpëruar do të përsërisim me vete projektet tona të  fshehta për të emigruar.

Edhe një herë, politika në Shqipëri do të ishte “fusha e betejës” e rezervuar ekskluzivisht për trimat, arrogantët, prepotentët dhe në fund, për ata që jetojnë sikur të mos kishin asgjë për të humbur dhe jo e atyre që  janë  më shumë të  kompletuar, civilë, të  kujdesshëm dhe racionale, por të paaftë për të marrë rreziqe. Këta të fundit do të kthehen në rolin e tyre të zakonshme të “shpirtrave të bukur”, të  viktimave të  përjetshme, të  nënshtruarve që  nuk kanë  marrë  akoma statusin “qytetarë”.

Më thuaj, pra, Fatos, të gjithë  këta të  nënshtruar që  janë të  paaftë  për t’u shndëruar në “qytetarë”, çfarë kanë  për të  humbur? Dhe sipas jush, çfarë ju mungon në “shpirtrat e bukur” për të shprehur me zë të lartë kundërshtimin e tyre, ose më mirë çfarë  ju nevojitet “shpirtrave të  bukur” që të jenë në gjendje për kompromis, dhe të marrin pjesë në ndërtimin e një sistemi politik të  paktën të pranueshëm?

Kam dëgjuar (dhe lexuar) shumë herë Lulzim Bashën, tani për tani i vetmi të  cilit mund t’i atribuojmë udhëheqjen e protestës, duke deklaruar se partia e “tij”, ka reflektuar, dhe njeh gabimet që  kanë  bërë në të kaluarën dhe se këto gabime kanë ndihmuar dhe kanë  sjellë vendin në gjendjen e mjerueshme të sotme.

Sipas parametrave të Perëndimit të krishterë, mëkatari duhet të pendohet që ka kryer mëkat, duhet të rrëfehet, dhe më  pas duhet të kryejë dhe dënimin që i shkruan prifti rrëfyes dhe në  këtë  mënyrë mund të marrë  të paktën faljen e Zotit.

Sipas ritualit komunist, falja e Perëndisë është e parëndësishme; kurse si pendimi dhe rrëfimi zëvendësohen me autokritikën para kolektivit.

Pra, nga dy metodat më  të njohura në Evropë, në të dyja rastet, Lulzim Basha ka bërë  tashmë atë që mund dhe duhet të bënte mirë—rrëfimin, pendimin dhe dënimin, ky i fundit i treguar nga mbështetja e ulët në zgjedhje.

Por tani Basha është i vetmi udhëheqës, që me ligjin aktual ka mundësi reale për t’u zgjedhur, që ka vendosur të përfaqësojë publikisht këto teza. Lënia vetëm në këtë detyrë do të thotë t’i dorëzohesh armikut.

Nëse këto tema janë receta e nevojshme dhe qëllimi final është teknikisht i arritshëm, atëhere efekti i mundshëm anësor (i bërjes së lojës së dikujt tjetri) nuk duhet të ketë shumë rëndësi. Edhe sepse, i dashur Fatos, nëse ky proces politik nis seriozisht, standardi i ri politik i të ardhmes do të tërhiqte shumë njerëz dhe do t’i jepte kështu përgjigjen më të mirë edhe frikërave tona të tanishme.

Lajme te ngjashme