Rumani, 250 mijë qytetarë protestojnë kundër korrupsionit të qeverisë

Rumani, 250 mijë qytetarë protestojnë kundër korrupsionit të qeverisë Pamje nga protesta në Bukuresht

Më shumë se 250 mijë rumunë po protestojnë në çdo qytet të Rumanisë kundër qeverisë dhe nismave ligjore të saj, që nxisin dhe justifikojnë korrupsionin e zyrtarëve të lartë.

Protestat, ndër më të mëdhat që nga rënia e komunizmit, nisën menjëherë në të gjithë vendin, sapo qeveria miratoi në mënyrë urgjente, një ligj që dënon korrupsionin vetëm në ato raste ku dëmi financiar i shkaktuar është më i lartë se 47 mijë dollarë.

Ndryshimet ligjore kanë disa javë që diskutohen në parlamentin rumun, por qeveria e re, e formuar pas zgjedhjeve të dhjetorit,  vendosi miratimin e tyre papritmas të martën në mbrëmje vonë.

Nga këto ndryshime do të përfitojë Liviu Dragnea, lideri i Partisë Social Demokrate (PSD), në pushtet aktualisht. Ai është dhe Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Rumanisë, dhoma më e ulët e parlamentit rumun.

Liviu Dragnea është akuzuar për abuzim të  pushtet dhe korrupsion për një shumë prej rreth 26 mijë euro. Ai është dënuar me kusht në prill të vit të kaluar me dy vjet dënim me kusht, por kjo nuk e largoi nga politika.

SHBA-të, Gjermania, Kanadaja, Finlanda, Holanda dhe Franca kanë deklaruar se qeveria e Rumanisë po minon “progresin në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit gjatë dhjetë viteve të fundit”.

Pavarësisht protestave që do të vazhdojnë dhe thirrjeve të ndërkombëtarëve,  qeveria rumune refuzon të anullojë ligjin.

Të enjten, Kryeministri  Sorin Grindeanu në një konferencë për shtyp së bashku me liderin e PSD-së Dragnea, deklaroi:

“Ne morëm një vendim dhe do të vazhdojmë me të. Partia më siguroi se kemi mbështetjen e tyre për të vazhduar  me planin tonë.”

Kjo është qeveria e tretë e formuar në Rumani brenda dy viteve të fundit.

Presidenti rumun Klaus Iohannis, roli i të cilit është kryesisht ceremonial, por që është një ndër figurat më të respektuara nga qytetarët, i ka kërkuar gjykatës kushtetuese të rrëzojë ligjin.  Ai ishte një nga liderët që bëri thirrje dhe mbështeti protestat kur e quajti ditën e votimit të ligjit një “ditë zie për sundimin e ligjit.”

Lajme te ngjashme