Shefja e ONM-së të vetingut, Cavalera, një zë i kthjellët dhe modest

Shefja e ONM-së të vetingut, Cavalera, një zë i kthjellët dhe modest

Pohimet e para publike të Shefes së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) të procesit të vetingut janë të ftohta, të kthjellta dhe krejtësisht të paanshme—në kontrast të dukshëm me mënyrën jo transparente, të zhurmshme dhe arrogante të ndjekur për hartimin e reformës në drejtësi dhe sjelljen e diplomatëve të huaj që kanë marrë pjesë në hartimin e saj.

Genoveva Ruiz Calavera ka theksuar sot në Tiranë se aktiviteti i saj është këshillues dhe se vendimet në procesin e vlerësimit janë të gjitha të Kuvendit të Shqipërisë i cili ka sovranitet të plotë në këtë proces; ka premtuar seriozitet duke shmangur shfaqjet publike të tipit të “artistëve yje”; ka premtuar transparencë të plotë të procesit; ka premtuar shmagien e cdo përdorimi politik të punës së saj nga cilado palë.

Shefja e ONM-së zhvilloi sot një takim me gazetarë, me qëllim informimin e për funksionimin dhe rolin e ONM-së në procesin e rivlerësimit.

“Ne kemi vetëm rol këshillues. Ne nuk prekim sovranitetin e vendit dhe vendimet përfundimtare merren nga Kuvendi,”— vuri në dukje Kavalera.

Ajo pohoi se procesi i rivlerësimit do të bëhet në transparencë të plotë. Publiku do të informohet hap pas hapi për procesin e rivlerësimit përmes një faqe online, ku do të publikohen të gjitha dokumentat e shqyrtuara në procesin e rivlerësimit. Dokumenta do të bëhen publikë vetëm pasi të jetë marrë vendimi i ONM-së.

“I vetmi zë që do komentoj punën tonë është faqja publike”, u shpreh Zonja Calaveria.

Sipas kushtetutës, personat e prekur nga vetingut kanë të drejtë të ankimohen në Komisionin e Apelimit dhe Komisionerin Publik. Ky veprim bëhet për të siguruar besim e qytetarëve tek drejtësia dhe procesi i vlerësimit.

Ecuria e procesit të vlerësimit dhe ngritja e institucioneve të drejtësisë janë një nga kushtet e kërkuara nga BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Drejtuesja e ONM-së është personi i caktuar për të raportuar mbi këtë ecuri. Gjatë takimit, ajo u shpreh se:

Ecuria e këtij procesi lidhet me vlerësimin që unë do të bëj në Bruksel nëse procesi po shkon mirë apo jo. Kush minon detyrën time si ONM, minon punën time në Bruksel dhe rekomandimin për hapjen e negociatave. Zgjedhjet po vijnë, ndaj, do të ketë përpjekje për ta politizuar punën tonë, por unë do të rezistoj ndaj këtyre përpjekjeve.

ONM do të përbëhet nga vëzhgues të vendeve partnere të Shqipërisë—anëtare të NATO-s ose të BE-së— dhe do të drejtohet nga Komisioni Evropian.

Cavalera u shpreh se SHBA-të kanë konfirmuar pjesmarrjen dhe mbështetjen e tyre. Në ONM do të ketë anëtarë të Ambasadës së ShBA-ve në Tiranë dhe Departamentit të Shtetit.

Gjithashtu, shefja e ONM-së tha se BE ka miratuar një fond të madh për të mbështetur refromën në drejtësi, por nuk e bëri publike vlerën e këtij fondi.

Më tej ajo vazhdoi me shpjegimin e punës së ONM-së, duke u shprehur se:

Dua ta theksoj ne nuk jemi këtu per t’ju marrë sovranitetin. Ne duam të ruajmë besimin tek qytetarët. Roli im nuk është roli i një ylli kinemaje por të jem diskrete, sepse procesi duhet të jetë i besueshëm.

Konfidencialiteti është ai që do të bashkojë çdo anëtarë të ONM-së dhe nëse dikush e shkel përjashtohet menjëherë. Unë njihem në Komisonin Evropian për këtë tipar.

Ndonjëherë mund të mos jem shumë miqësore me median sepse nuk dua të jem pre e politizimit, e manipulimit dhe spekullimit. Askush nuk do të jetë i preferuar nga mediat sepse në pikëpyetje është besueshmëria e procesit.

Genoveva Ruiz Calavera ju bashkua Komisionit Evropian në vitin 1992 dhe për herë të parë ka punuar në fushën e tatimeve dhe doganave, fushë ku kishte punuar dhe më parë në sektorin privat në Spanjë.

Në vitin 2006, Genoveva Ruiz Calavera u emërua si shefe Njësie. Zonja Calavera ka punuar në fushën e marrëdhënieve me jashtë dhe politikën e fshinjësisë për rreth 20 vjet.

Ajo ka shërbyer në Task Forcën e Komisionit Evropian për Rindërtimin e Kosovës, si dhe në departamentet për politikat e fqinjësisë, marrëdhëniet e jashtme.

Në vitin 2016, ajo u emërua Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor, në departamentin për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerim.

 

 

Lajme te ngjashme