Shpallen të pafajshëm anëtarët e organizatës kriminale “Hakmarrja për drejtësi”

Të gjithë anëtarët e akuzuar të bandës “Hakmarrja për drejtësi” janë shpallur sot të pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.

Ky vendim u bë i mundur pasi disa muaj më parë  Gjykata e Lartë vendosi kthimin e çështjes për rigjykim në Apel.

Anëtarët e Bandës akuzoheshin për disa vepra të rënda kriminale, përfshi vendosjen e një bombe tek supermarketi i Vefas, vrasjen e drejtorit të burgjeve Bujar Kaloshi, vrasjen e shoferit të kryeprokurorit Theodhori Sollaku si dhe grabitjen e disa bankave.

Altin Arapi, Orik Shyti, Leart Shyti, Roland Shyti, Gent Caka, Dritan Hata, Pasho e Nikolin Nevruzaj, Kreshnik Spahiu e Gëzim Gjoni ishin dënuar nga 5 vite burg deri në burgim të përjetshëm.

Kjo organizatë drejtohej nga dy vëllezërit Leart dhe Orik Shyti. Ata ndodhen në Belgjikë ku kanë përfituar statusin e azilantit. Po kështu dhe anëtarët e tjerë ndodhen jashtë vendit. Ata u arratisën gjatë vitit 1997 pas hapjes së burgjeve. Proceset gjyqësore ndaj kësaj organizate kanë nisur në fundin e vitit 1998.

Lista e plotë e krimeve për të cilat akuzohen anëtarët e “Hakmarrjes për drejtësi” të ndodhura nga viti 1993 deri në 1996 është më poshtë:

  • Vrasja e ish-drejtorit të burgjeve, Bujar Kaloshi;
  • Vrasja e Sami Jatës;
  • Vrasja e shtetasit P.K, që transportonte lekët e “VEFA”-s në banesën e tij, u vodhën 18,5 milionë lekë;
  • Vendosja e eksplozivit në super-marketin e kompanisë VEFA në Tiranë, ku u vranë katër persona e u plagosën 17 të tjerë;
  • Grabitja e degës së valutës së Bankës së Kursimeve, ku u vodhën rreth 307 mijë dollarë;
  • Grabitja e shoqërisë “IAP”, ku u vodhën rreth 53 mijë dollarë;
  • Grabitja e “Shkumbin Petrol”, ku u vodhën 2.6 milion lek të reja;
  • Grabitet shoqëria “IAP”, merren 3.500 dollarë dhe plagoset roja Eduard Trimi;
  • Vrasja e Pal Prendit nga Vlora, punonjës i pikës së grumbullimit të parave të “Gjallicës”, ku u vodhën 3 milionë lekë;
  • Grabitja e një argjendaria ku u vodhën 576 mijë lekë;
  • Grabitja e Bankës së Kursimeve dega në Vlorë, ku u vodhën 2,6 milion lekë;
  • Grabitja e kompanisë së sigurimeve shoqërore “INSIG”, ku u grabitën rreth 156 mijë lekë dhe u plagos e punonjësit të kësaj shoqërie;
  • Grabitja e Ndërmarrjes së Lëndëve Djegëse në Tiranë “Butongas”, ku u vodhën rreth 430 mijë lekë;
  • Grabitja e fabrikës së sfungjerit “Albafon” në Laprakë, ku u vodhën rreth 940 mijë lek të reja;
  • Rrëmbimi i një fëmije, prindërve ju kërkua 200 mijë dollarë;
  • Grabitja filiali i shoqërisë “VEFA” në Vlorë, u vodhën 145 mijë dollarë;
  • Grabitja e Bankës Kombëtare Tregtare dega Vlorë, u vodhën 2.2 milion lekë të reja.