Veliera, projekti klientelist që shkatërron trashëgiminë e Durrësit

Veliera, projekti klientelist që shkatërron trashëgiminë e Durrësit Projekti Veliera në Durrës. B.

Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako organizoi dje, pas protestave të qytetarëve e arkeologëve, një dëgjesë publike për rivitalizimin e Sheshit “Veliera” para Hyrjes se Portit, ngjitur me shëtitoren buzë detit dhe Torrës Veneciane.

Ky projekt nisi më nëntor të viti 2016. Në qendër të projektit është një velë gjigante betoni me sipërfaqe prej 200 metra katrorë. Ai do të kushtojë rreth 18.3 milionë euro. Në total, 40 për qind e të gjithë buxhetit të viti 2017 të Bashkisë Durrës.

Ky projekt përveç kostos së lartë e dëmtimit të trashëgimisë kulturore mijëravjeçare të Durrësit, është dhe një provë e klientelizmit të Qeverisë Rama, ku një grup i ngushtë miqsh të Kryeministrit kanë përfituar të drejtën për të realizuar pjesën më të madhe të ndërhyrjeve infrastrukturore në vend.

Projekti filloi përpara miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor nga Këshilli Bashkiak.

Projekti Veliera është projektuar nga firma italiane e arkitekturës Archea Associati e arkitektit të dënuar në Itali Marco Casamonti. Arkitekti Casamonti ka projektuar edhe stadiumin “Arena Kombëtare”, një tjetër projekt i qeverisë i përfshirë në skandale.

Render i projektit Veliera

Tenderi për ndërtimin e Velierës iu dha kompanisë Everest shpk dhe Fusha shpk. Kjo e fundit ka fituar edhe projektin e sheshit Skënderbej, duke marrë tre tenderë publik të njëpasnjëshme.

Ashtu si në rasti e projektimit, kompania Everest dhe Fusha fituan vetëm sepse konkurruesit e tjerë u skualifikuan. Ndërkohë, kompania Everest, në të njëjtën datë, u skualifikua nga një tender i Bashkisë Tiranë, sepse nuk paraqiti vertetimin e pagesës së taksave.

Por, mesa duket, ky fakt nuk e ka shqetësuar fare Bashkinë Durrës.

Kompania Everest dhe Fusha do të përfitojnë 3,3 milionë euro për punët e tyre, të cilat, ashtu sikurse do të përshkruhen më poshtë, do të shkaktojnë dëme të pariparueshme në trashëgiminë kulturore të Durrësit.

Ndërsa, tenderi i mbikëqyrjes së zbatimit të projektit Veliera u fitua nga kompania Erald-G shpk dhe Arkonstudio shpk, me vlerë rreth 182 mijë euro, ose sa 99,6 për qind e buxhetit të caktuar. Në mënyrë të habitshme, gjashtë kompanitë e tjera u skualifikuan.

Dhunimi i zonës së mbrojtur

Ashtu si në rastin e Gjirokastrës, projekti i rikualifikimit urban kërcënon trashëgiminë kulturore dhe sitet arkeologjike të rëndësishme. Në një pjesë të rëndësishme:

Projekti Veliera do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Numër 237, me datë 23 mars 2011.

Edhe pse VKM-ja lejon rindërtimin e infrastrukturës në këtë zonë të mbrojtur, neni 2 pika 3 parashikon qartësisht se lejohen vetëm ndërtime të lehta me një lartësi maksimale deri në 3 metra. Këto ndërtime duhet të jenë të lëvizshme dhe nuk duhet të dëmtojnë themelet nëntokësore dhe peizazhin.

Figura 1 tregon hartën e VKM-së numër 237 mbi një skicë arkitekturore të projektit “Veliera”. Zona ngjyrë rosë është Zona e mbrojtur A. Ngjyra e gjelbër është Zona B, në të cilën ndërtimet lejohen pas një “mbikqyrje të vazhdueshme” nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, me anë të “zhurmave arkeologjike ose forma të tjera testimi në varësi të potencialeve të ofruara nga zona dhe me miratimin e Këshillit Kombëtarë të Arkeologjisë”.

Fig. 1: Vizatimi arkeologjik i projektit Veliera dhe zonat e mbrojtura.

Ashtu sikurse duket nga Figura 1, dy shtyllat e “velës” së betonit të cilat janë shumë afër qendrës së qytetit ndodhen brenda Zonës A, cepi i tunelit ndodhet shumë pranë skajit të saj. Për mbajtjen e velës së betonit me sipërfaqe 200 metra katrorë, themelet duhet të jenë veçanërisht të forta. Ndërtimi i tyre, pa asnjë dyshim, do të dëmtojë shtresat e nëndheshme të qytetit.

Për më shumë, provat fotografike të marra nga aktivistët e trashëgimisë kulturore, tregojnë se shtresat e nëndheshme të Zonës A janë dëmtuar seriozisht, duke zbuluar shtresat ndërtuese më të vjetra të qytetit, të cilat mbrohen me ligj.

Themelet e Torres Veneciane

Lajme te ngjashme