Vetingu, Avokati i Popullit nuk hap aplikimet e kandidatëve

Vetingu, Avokati i Popullit nuk hap aplikimet e kandidatëve

Në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit nuk është publikuar asnjë thirrje për rihapjen e aplikimeve të kandidatëve të institucioneve të vetingut.

Katër ditë më parë, Kuvendi vendosi në shkelje me Kushtetutën dërgimin e dy listave të kandidatëve sëbashku me rekomandimet e ONM-së pranë Avokatit të Popullit.

Sipas një burimi afër Avokatit të Popullit Igli Totozani, Kushtetuta nuk lejon hapjen e zarfit me rekomandimet e ONM-së nga ana ky institucion. Pa këto rekomandime, Avokati i Popullit nuk ka mundësi të kërkojë informacion shtesë nga 92 kandidatët të cilët janë skualifikuar për mungesë dokumentacioni nga ONM-ja, ashtu sikurse kërkohet nga Kuvendi.

Avokati i Popullit do të rihapi procesin e aplikimit vetëm pasi Kuvendi të hapë zarfet e mbyllura dhe të bëjë publike rekomandimet e ONM-së.

Por, Kuvendi duhet të formojë komisionet parlamentare ad-hoc, në mënyrë që të hapi zarfet dhe të përpilojë listë përfundimtare. Dhe kjo është ekzaktësisht ajo që pritet të ndodhë ditën e hënë në Kuvend.

Pra, duket se topi i vetingut ka kaluar sërish në sallën e Kuvendit.

Lajme te ngjashme