Federica Mogherini përgjigjet për vilën luksoze të ambasadores Vlahutin

Federica Mogherini përgjigjet për vilën luksoze të ambasadores Vlahutin Ingeborg Grässle, Frederica Mogherini, Romana Vlahutin

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Federica Mogherini i është përgjigjur Komisionit për Kontrollin e Buxhetit (CONT) në Parlamentin Evropian në lidhje me blerjen e vilës të ambasadores të BE-së Romana Vlahutin në Tiranë. CONT i ka dërguar pyetjet më 16 shkurt dhe ka marrë përgjigje më 24 shkurt.

Sipas përgjigjeve nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së (EEAS) — që më pas i janë dërguar redaksisë së Exit.al nga zyra e kryetares së CONT, Ingreborg Grassle — çmimi i vilës është përcaktuar nga “vendndodhja, ekpozimi, sipërfaqja, hapësirat e ndërtesës, orientimi etj”. Një ndërtesë, në një zonë më e lirë në Tiranë, ishte përjashtuar si mundësi për çështje sigurie.

Pesë nga nëntë agjentët e pasurive të paluajtëshme të kontaktuar nga Delegacioni i BE-së prezantuan në total 15 oferta, nga të cilat 5 shtëpi u zgjodhën për t’u parë nga afër. Vendimi se vila në rezidencën Rolling Hills, me një vlerë prej 1,649 milionë euro, me sipërfaqe banimi 585 metër katrorë dhe sipërfaqe në total prej 1613 metër katrorë, ishte zgjedhja e duhur u vendos nga një ekspert i jashtëm, staf i EEAS dhe Zyrtari Rajonal i Sigurimit.

Çmimi prej 1,649 milion euro është negociuar nga Delegacioni i BE-së në Tiranë përpara se Ambasadorja Vlahutin të merrte postin në tetor 2014. Negociatat përfundimtare për blerjen e vilës u bënë më 11 nëntor 2014, ndërsa kontrata u nënshkrua më 27 shkurt 2015.

EEAS argumenton se blerja e një prone ishte mënyrë më e lirë krahasuar me formën e mëparshme të strehimit të Kreut të Delegacionit, marrja me qira, e cila kushtonte rreth 101 mijë euro në vit.

Sipas përgjigjeve, banimi në vilën në Rolling Hills do të kushtojë më lirë edhe nëse merret parasysh se mirëmbajtja e vilës do të kushtojë rreth 10,800 euro në vit. EEAS parashikon që ndërtesa do të amortizohet për 17 vjet.

Kjo [analiza] nuk ka marrë parasysh rritjen e mundshme të çmimeve të pronës. Kjo nuk është e pamundur të ndodhë, po të kemi parasysh se vendi është në rrugën e integrimit në BE, pasi ka marrë statusin e kandidatit në qershor 2014.

Në përgjigje jepen disa referenca nga dokumente ku EEAS informon Parlementin Evropian për planet për blerjen e një vile në Tiranë. Në një letër dërguar ish-Presidentit të PE-së Martin Schultz, Patrick Child nga EEAS propozon rishpërndarjen e fondeve:

…për të blerë një vilë në Tiranë me një sipërfaqe ndërtese prej rreth 400 metër katrorë të përshtatshme për aktivitetet diplomatike. Çmimi pas negociatave është 1,649,000 euro. Ky çmim është sa qiraja që paguhet për apartamentin aktual për më shumë se 19 vite, por vila është dukshëm më e madhe.

Vihet re se edhe pse çmimi është i ngjashëm, madhësia e sipërfaqes së banimit ndryshon nga informacioni i dhënë për CONT.

Për më tepër politika e EEAS se “pronësia e plotë është më e përshtatshme financiarisht se marrja me qira” i është dërguar Komitetit të Buxhetit të PE-së më 7 korrik 2016, që është rreth një vit e gjysëm më vonë pas nënshkrimit të kontratës së shitjes në shkurt 2015.

Së fundi, EEAS mohon se ndokush nga stafi i Delegacionit të BE-së në Tiranë është i afërm i ndonjë zyrtari të lartë të qeverisë shqiptare dhe i quan raportimet në media në lidhje me një hije të korrupsionit të mundshëm si “një fushatë agresive keqinformuese nga media lokale.”

Më 17 shkurt, Exit ka paraqitur një kërkesë informacioni pranë EEAS për të marrë raportin e plotë të ekspertëve dhe të vlerësimit të jashtëm për vlerjen e vilës dhe ka kërkuar dokumente shtesë që kanë të bëjnë me procesin e vendimmarrjes të EEAS në lidhje me këtë çështje.

Lajme te ngjashme