Kuvendi ndryshon qëndrim, nuk hap aplikime të reja për institucionet e vetingut

Kuvendi ndryshon qëndrim, nuk hap aplikime të reja për institucionet e vetingut

Dje Kuvendi ndryshoi qëndrimin e tij për rihapjen e aplikimeve për institucionet e vetingut. Kuvendi vendosi të mos hapë sërish aplikimin për kandidatë të rinj, por do t’i kërkojë Avokatit të Popullit të mbledhë dokumente shtesë për 79 kandidaturat që ishin përjashtur nga gara për arsye formale.

Me paraqitjen e dokumenteve shtesë dhe plotësimin e kushteve, ata mund të futen sërish në garë për një nga 27 pozicionet të KPK-së dhe KA-së, dy institucionet qe do të kryejnë procesin e verifikimit të figurës së gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjëve të tjerë të lartë të sistemit të drejtësisë.

Më 6 mars, Kuvendi miratoi kthimin e listave të kandidatëve tek Avokati i Popullit dhe rihapjen e aplikimeve për 7 ditë. Kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi dhe kreu i Komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi Fatmir Xhafaj shpjeguan se pse ky vendim ishte i nevojshëm për ta bërë procesin sa më të drejtë.

Por Avokati i Popullit nuk pranoi të shkelë Kushtetutën dhe të rihapë procedurat e aplikimit. Tani duket se është gjetur një kompromis, ku Avokati i Popullit do të jetë përgjegjës vetëm për mbledhjen e dokumenteve shtesë.

Duhet theksuar se ky vendim i dytë është ende në kundështim me këshillën e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), i cili sygjeroi se dokumentet shtesë duhet të mblidhen nga komisioni ad-hoc parlamentar. Ky komision ende nuk është formuar për shkak të bojkotit të parlamentit nga opozita.

Lajme te ngjashme