Rama në panik, emëron ish-hetuesin e komunizmit Ministër të Brendshëm

Rama në panik, emëron ish-hetuesin e komunizmit Ministër të Brendshëm

Ndërsa shkarkimi i Saimir Tahirit si Ministër i Brendshëm ishte një lëvizje e Ramës për të kënaqur ndërkombëtarët, aleatin e koalicionit Ilir Metën apo opozitën, emërimi i Fatmir Xhafajt, nga ana tjetër, duket një lëvizje e dëshpëruar e kryeministrit për të mbajtur Ministrinë e Brendshme, njëkohësisht dhe policinë në kontrollin e tij.

Gjerësisht në media është supozuar se largimi i Saimir Tahiri është rezultat i presionit nga qeveritë e huaja ndaj Kryeministrit Rama. Por nëse kryeministri po kërkonte një fytyrë të re e të besueshme, ndoshta për t’i dhënë një sinjal ndërkombëtarëve, Ilir Metës dhe opozitës, se ka vendosur të shkëputet nga lidhja me krimin dhe se është i vendosur për të çuar përpara reformën në drejtësi , Zoti Rama sapo ka emëruar zgjedhjen më të keqe të munshme.

Para së gjithash, Fatmir Xhafaj ka qenë pjesë e nomenklaturës komuniste, si hetues gjatë regjimit komunist dhe si sekretar i Komitetit Qendror të Rinisë. Si ish-hetues, Zoti Xhafaj duhet të ishte përjashtuar nga Parlamenti, e sigurisht nga posti i ministrit, bazuar në ligjin e lustracionit të vitit 2008. Ky ligj gjithsesi nuk është vënë asnjëherë në zbatim dhe Fatmir Xhafaj nuk ka kërkuar falje publike për veprimet e tij gjatë regjimit komunist.

Së dyti, vëllai i Fatmir Xhafës, Agron Xhafaj, është dënuar për trafik ndërkombëtar të kokainës mes Venezuelës dhe Italisë, si rezultat i hetimeve të DEA-s, prokurorisë së Venezuelës, dhe prokurorisë anti-mafia të Lecces, në Itali. Fatmir Xhafaj nuk është distancuar asnjëherë publikisht nga krimet e të vëllait, ç’ka hedh hije dyshimi mbi besueshmërinë e ti për të çuar më tej reformën në drejtësi.

Ndryshe nga ministrat e mëparshëm të Qeverisë Rama, Fatmir Xhafaj nuk do të heqë dorë nga mandate i deputetit.  Zoti Xhafaj nuk është vetëm deputet i PS-së, por dhe kreu i Komisionit parlamentar të Ligjeve dhe kreu i komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi.

Për më tepër, si kryetar i komisionit të reformës në drejtësi, Zoti Xhafaj, së fundmi, mbrojti parregullsitë antikushtetuese në lidhje me procedurat e reformës në drejtësi, e veçanërisht të vettingut, që aktualisht ka mbetur i bllokuar.

Sipas rregullores së Kuvendit, neni 20/1, një ministër nuk mund të jetë pjesë e një komisioni të përhershëm parlamentar. Kjo do të thotë se Zoti Xhafaj duhet të tërhiqet nga posti i tij si Kryetar i komisionit të Ligjeve. Nga ana tjetër, nuk ka një rregull të tillë për komisionet e posaçme, ç’ka do të thotë se parimisht, Zoti Xhafaj mund të vazhdojë të drejtojë komisionin e posaçëm të reformës në drejtësi, edhe pse është në të njëjtën kohë Ministër i Brendshëm.

Një situatë e tillë e papranueshme tregon hipokrizinë e Ramës kur shprehet se opozita po bllokon procesin e vettingut. Nëse Kryeministri Rama lejon një ish-komunist të lidhur me krimin e organizuar, të çojë vendin në zgjedhje, ndërkohë që menaxhon dhe reformën në drejtësi, është shumë e qartë se kush është kërcënimi kryesor i ligjit dhe drejtësisë në këtë vend.

Lajme te ngjashme