Nis protesta e opozitës, përplasje mes policisë e qytetarëve në Fier

Nis protesta e opozitës, përplasje mes policisë e qytetarëve në Fier

Ka nisur në orën 11:00 protesta e opozitës e shtrirë në disa qytete dhe në rrugët kryesore të vendit.

Akset rrugore në rrethrrotullimin e Sheshit Shqiponja dhe Pallati me Shigjeta në Tiranë, në rrethrrotullimin e Milotit, të Bradasheshit e Plugut, do të bllokohen deri në orën 12:00.

Kreu i Partisë Lulzim Basha po proteston me qytetarët tek Sheshi Shqiponja, ndërsa deputetë të opozitës ndodhen në të gjitha akset rrugore.

Zoti Lulzim Basha deklaroi se bashkimi i shqiptarëve në këtë protestë simbolike tregon “vendosshmërinë për të mos ia dorëzuar Shqipërinë krimit dhe drogës; lirinë tonë, tiranisë dhe korrupsionit.”

“Jemi bashkuar qindra mijëra miliona shqiptarë nga jugu në veri për zgjedhje të lira e të ndershme, me një qeveri teknike”, u shpreh Zoti Basha.

Deputetët kanë theksuar se protesta nuk do të jetë e dhunshme, por ka për qëllim të tregojë se protesta e opozitës e nisur që më 18 shkurt, është përshkallëzuar në të gjithë vendin.

Policia, e cila nuk pranoi kërkesën e opozitës për zhvillimin e protestave, do të përdorë mjete të teknologjisë së lartë për të filmuar dhe identifikuar protestuesit.

Në rrethrrotullimin e Plugut, që bllokon aksin Fier-Lushnje mësohet se ka pasur përplasje mes policisë dhe qytetarëve, pasi këta të fundit tentuan të bllokojnë  rrugën.

Avokati i Popullit Igli Totozani, në mbrotje të së drejtës për protestë të qytetarëve, do të monitorojë protestat me anë të grupit të ekspertëve . Po ashtu, mediat bëjnë të ditur se dhe ekspertë të huaj të misioneve amerikane e evropiane po monitorojnë protestuesit dhe Policinë e Shtetit.

Ndërkohë Kryeministri Rama, duke folur nga Apollonia, në përgjigje të protestës së opozitës deklaroi se “nuk është koha për të bllokuar rrugët e Shqipërisë, bllokuar njerëzit që duan të lëvizin lirshëm në rrugët e vendit, por është koha për të hapur përfundimisht rrugën e të bërit shtet modern demokratik e evropian.”

Lajme te ngjashme