Pesë të humbur dhe një të fituar nga moszgjidhja e krizës

Nga Ilmi Rehova
Pesë të humbur dhe një të fituar nga moszgjidhja e krizës

Pesë të humbur

  1. Partia Demokratike dhe Lulzim Basha. Tashmë duket se PD nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Pas disa javësh, me shumë gjasa, ajo do ta gjejë veten jashtë Kuvendit dhe jashtë çdo institucioni tjetër shtetëror, përjashto disa bashki, shumica të parëndësishme. PD ka hyrë pa kthim në një territor të pashkelur, ku nuk ka qenë asnjë forcë tjetër kryesore politike: mbijetesën politike jashtë institucionale.

Në këto kushte, ajo do të duhet të ruajë rëndësinë e saj politike: të mbajë të bashkuar anëtarët, të ruajë mbështetjen publike dhe të ruajë përceptimin e një alternative që mund të vijë në pushtet. Kjo duket detyrë e vështirë dhe mund të kërkojë “rithemelimin” e saj, si e vetmja mundësi që mund të rigjallërojë anëtarësinë dhe të krijojë besueshmëri publike.

Gjatë muajve të fundit, sjellja e PD-së—ndonëse ka përcjellë dhe i ka dhënë zë shqetësimeve të mëdha shoqërore, përfshi kanabizimin e vendit, kriminalizmin e politikës, korrupsionin dhe klientelizmin—ka qenë e prerë për kostumin e militantëve për nga gjuha e artikuluar, mënyra e përcjelljes së mesazheve dhe mjetet politike të përdorura. Edhe pse disa nga mesazhet e saj kanë rezonuar me interesat apo mendimet e një pjesë jo partiake të popullsisë, veçanërisht shtresave të shkolluara qytetase, këto grupe nuk duket të jenë ngrohur shumë me PD-në, për shkak të retorikës dhe imazhit të vjetër që ajo ka përcjellë. Mbi të gjitha, këto grupe, ndonëse e pranojnë rëndësinë e largimit të Edi Ramës nga qeverisja, kanë një këndvështrim më të gjerë për të ardhmen se sa thjesht ndërrimi i tij me Lulzim Bashën.

Tashmë, sfida kryesore e PD-së është të tregojë në mënyrë të besueshme dhe të prekshme se qëndrimet e saj janë parimore, se qasja e saj ekstreme po bëhet për një gjë të madhe: për një sistem të ri politik, ekonomik dhe shoqëror. Kjo gjë kërkon një propozim serioz për reformimin e sistemit partiak, elektoral dhe qeverisës të vendit, si dhe një program për transformim rrënjësor të strukturës ekonomike të vendit.

Nëse përpjekja e PD-së, në javët dhe muajt e ardhshëm, do të jetë apo do të perceptohet si një operacion force apo manovër strategjike, që nuk prek thelbin e sistemit, rëndësia politike dhe aftësia e PD-së për të tërhequr qytetarët do të zbehen ndjeshëm. Bashkë me të do të vuloset edhe përgjegjësia politike dhe historike e Lulzim Bashës, i cili është vendim-marrësi kryesor në kursin dhe vendimet e PD-së.

  1. Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Meta. Loja politike e e LSI-së më në fund ka mbaruar. Për katër vjet LSI, veçanërisht Kryetari i saj Ilir Meta, ka luajtur me të dyja palët kryesore politike, duke shfrytëzuar nevojën e PS-së për të bashkëqeverisur me të për ruajtjen e pushtetit dhe dobësinë e PD-së që duket se ka besuar se pa LSI-në ajo nuk mund të rivinte dot në pushtet. Duke përfituar nga këto “nevoja”, LSI ka bërë partnerin kokëfortë dhe të vështirë me PS-në dhe flirtuesin e ëmbël në errësirë me PD-në. Kështu, ajo ka rritur vlerën e pazareve të saj me PS-në dhe ka shmangur goditjet dhe akuzat nga PD-ja.

Kjo lojë tashmë mbaroi. Në ditët e ardhshme, LSI do të duhet të zgjedhë dhe zgjedhja e saj do të jetë kategorike, o me njërën, o me tjetrën. LSI nuk mundet dot më të veshë, qoftë edhe  për propagandë, kostumin e ithtares së konsensusit, tolerancës, integrimit apo dashurisë për hir të Shqipërisë. Tashmë, LSI ose do të bëhet mbajtësja në jetë e “qeverisjes së krimit dhe kanabisit” ose do të bashkohet me “koalicionin kundër vetingut”.

Zgjedhja e LSI-së është e vështirë dhe mbart rreziqe, sepse në asnjërën nga alternativat ajo nuk e kontrollon dot fatin e saj. Nëse ajo do të hyjë në zgjedhje pa opozitën, është e sigurtë që pas tyre ajo nuk do të jetë pjesë e qeverisjes pas zgjedhore pasi PS do të këtë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme. Përveçse qëndrimit në opozitë, Ilir Meta do të përjetojë rrezikun e hakmarrjes së mundshme të Edi Ramës për ta dëmtuar politikisht. Pas zgjedhjeve, PS do ketë me shumë gjasa, votat e mjaftueshme për të zhbllokuar vetingun dhe Edi Rama do të jetë nën trysni për të arritur rezultate konkrete në reformën në drejtësi, qoftë edhe në mënyrë simbolike. Dhe Ilir Meta do të ishte simbol perfekt për të kurorëzuar “drejtësinë” e reformës në drejtësi dhe angazhimin e “sinqertë” të Edi Ramës ndaj drejtësisë. Frika e hetimit dhe dënimit për korrupsion ka qënë një shqetësim deri në paranojë i Ilir Metës që pas 21 janarit. Duket se ditët e ardhshme do të jenë netë të vështira për frikën e tij.

Alternativa tjetër që Ilir Meta të mos hyjë në zgjedhje duke ju bashkuar opozitës, mbart një problem tjetër sepse LSI nuk ka provuar që mund të tërheqë vota, mbështetës dhe financime pa ofruar në shkëmbim favore dhe pushtet. Një LSI jashtë Kuvendit dhe pa një ide se kur mund të vijë përsëri në pushtet ka gjasa t’i humbasë një pjesë të mirë të mbështetësve të saj, të cilët do të drejtohen tek pushteti—tek PS, PDIU apo partitë e tjera që do marrin pjesë në zgjedhje dhe do të ndajnë pushtetin pas zgjedhjeve.

Mbi të gjitha, një qeveri pa pjesëmarrjen e Ilir Metës do të thyente asetin më të madh politik që ka Ilir Meta: perceptimin se ai është çelësi i qeverisjes në Shqipëri dhe se “nga shkon ai, shkon pushteti”.

  1. Edi Rama. Edi Rama me megallomaninë tipike të udhëheqësve ballkanikë kishte një projekt të madh që të krijonte një pushtet afatgjatë për veten, përmes martesës së politikës me biznesin, median e, madje, dhe me interesat e paligjshme dhe përmes këtij pushteti ta “skaliste” Shqipërinë sipas shijeve e vizionit të tij dhe kështu të hynte në histori. Ky projekt ishte i dështuar që teorikisht, por mbetej mundësia që të paktën Edi Rama mund të qeveriste gjatë edhe pa hyrë në histori.

Edhe pse duket sikur Edi Rama ka arritur të ruajë mbështetjen ndërkombëtare apo një farë imazhi të politikani të hapur dhe modern, Edi Rama po humbet në fakt çelësin e mbështetjes ndërkombëtare: konsiderimin e tij si garant i qëndrueshmërisë dhe normalitetit politik dhe shoqëror të vendit. Për aq kohë sa vendi kishte qëndrueshmëri dhe gjërat funksionin formalisht, veçanërisht përballë veprimeve refraktare të opozitës, preferenca apo mbështetja ndërkombëtare ndaj tij ishte e lehtë dhe racionale. Tani që vendi është në krizë, të cilën Edi Rama nuk e shmangu apo nuk e frenoi dot as me dialog dhe as me forcë, rëndësia e tij është ulur ndjeshëm. Si një udhëheqës tipik ballkanik ai nuk kupton se një politikan modern gjykohet dhe vlerësohet edhe për aftësinë për të bashkuar, arritur konsensus, negociuar, zgjidhur mosmarrëveshje dhe kriza. Një politikan sado i drejtë të jetë, nëse nuk siguron harmoni dhe konsensus, është politikan i keq dhe i panevojshmë për një shoqëri demokratike.

Këtij dështimi në sigurimin e qëndrueshmërisë dhe funksionimit normal politik të vendit i shtohen dyshimet e arsyeshme për tolerimin apo lidhjet të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij me kultivimin dhe trafikun e kanabisit. Si rezultat, ai po fillon të shihet tashmë si një nga pengesat për zgjidhjen e situatës dhe kthimin e qëndrueshmërisë publike.

Në fakt koha punon kundër Edi Ramës—shumë shpejt largimi i tij nga kreu i qeverisë do të jetë në interesin e shumë faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Këtë gjë do ta përforcojë fakti që në mandatin e dytë rëndësia e çdo udhëheqësi zbehet pasi pak kush pret një mandat të tretë dhe prandaj faktorët opozitarë vinë dhe bëhen më të rëndësishëm.

  1. Bashkimi Europian. Imazhi dhe rëndësia e BE-së në Shqipëri ka marrë një goditje të rëndë, kryesisht për shkak të një politike amatore, të përqendruar vetëm në një drejtim dhe  të perceptuar si të njëanshme politikisht. Është ironi domethënëse që propozimet e McAllister dhe Fleckestein ishin hera e parë që BE pranonte, qoftë edhe indirekt, problemin e drogës dhe lidhjeve të policisë me trafikun e drogës, si dhe problemin e rrezikimit të zgjedhjeve.

Në fakt, Ambasadorja e BE-së në Tiranë me qëndrimet e saj krejtësisht shpërfillëse ndaj problemeve reale të vendit dhe me anshmërinë e dukshme proqeveritare i ka sjellë dëme të mëdha marrëdhënies së Shqipërisë me BE-në. Exit ka analizuar të gjitha deklarimet dhe pohimet publike të Zonjës Vlahutin gjatë tre viteve të fundit dhe në to nuk përmendet asnjëherë problemi i kanabisit, asnjëherë problemet e korrupsionit dhe klientelizmit të qeverisë, asnjëherë problemet e krimit, asnjëherë problemi i zgjedhjeve—të gjitha probleme të rëndësishme në sytë e publikut dhe në mënyrë domethenëse të theksuara me forcë në raportet e EUROPOL dhe institucioneve të tjera të BE-së.

Me misionin negociator, McAllister-Fleckestein, BE u përpoq të zgjidhte në një ditë atë që kishte shpërfillur apo mohuar në një mijë ditë dhe kjo qe e pamundur.

Si rezultat, qytetarët shqiptarë, të cilët kanë një besim të pazakontë dhe joracional se fuqitë e huaja duhet të zgjidhin problemet e tyre dhe në interes të tyre, kanë provuar shijen e hidhur të realitetit duke kaluar në dëshpërimin e pashpresë se kur nuk e çajnë kokën diplomatët e BE-së për demokracinë, drogën dhe zgjedhjet, nuk kemi çfarë të presim nga tanët.

  1. Partitë e sapokrijuara. Nën interesin për të përfituar nga situata premtuese e mos pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje, në rradhë të parë Libra e Blushit dhe Sfida e Bojaxhiut kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mbështesin një sërë qëndrimesh joparimore për ta mbajtur mirë me diplomatët e huaj apo për t’u dukur të pavarur. Në mënyrë absurde, pjesëmarrjen në zgjedhje Libra e justifikon me detyrimin e saj përballë popullit apo ndaj demokracisë, argument i çuditshëm kur Libra nuk ka detyrim ndaj askujt veç anëtarëve, pra vetes, si parti që nuk përfaqëson elektorat ende. Ajo aktualisht është një realitet ligjor dhe zëri i vetëm i një individi. Të dyja këto parti të reja që e reklamojnë veten si parti ndryshe dhe antisistem duhet të kishin zaptuar pozicione të forta parimore dhe morale dhe ta kontrollonin impulsin për përfitime të menjëhershme elektorlae, çfarë do ju jepte në afatmesëm më shumë mbështetje. Me pak fjalë ato janë parti që duhet të provohen përmes zgjedhjeve parimore dhe jo retorikës, e cila nuk është as tregues dhe as garanci për asgjë.

Një i fituar

  1. Qytetarët shqiptarë. Mund të duket si paradoksale, por mosarritja e një marrëveshje partiake për krizën është në një farë mënyre fitore për qytetarët, ose, më saktë, shpëtimi i një mundësie për ta zgjidhur krizën në favor të tyre. Çdo lloj pazari apo marrëveshje partiake për zgjidhjen e krizës do të humbiste mundësinë që kriza të zgjidhej në themel, duke kuruar shkaqet që e kanë sjellë krizën dhe problemet me të cilat ajo lidhet.

Në 25 vitet e fundit, Shqipëria ka patur kriza të njëpasnjëshme, të cilat janë zgjidhur gjithmonë me marrëveshje partiake, vetëm për t’ja lënë rradhën krizës së rradhës. Sistemi politik ka mbetur i paprekur: partitë politikë kanë funksionuar njësoj, sistemi zgjedhor vetëm është përkeqësuar dhe ndarja dhe kontrolli i pushteteve kanë qenë vetëm fasadë, të drejtat e pakicës të pamundura. Vazhdimi i krizës mund ta çojë, më në fund, vëmendjen tek këto probleme themelore dhe të bindë shqiptarët, por edhe të huajt, se e vetmja zgjidhje është transformimi rrënjësor i sistemit tonë politik e ekonomik dhe ndarja nga elitat e kalbura politike, ekonomike dhe shoqërore të tranzicionit.

Një përfitim në dukje më i vogël, por i rëndësishëm, i vazhdimit të krizës është se ajo do të vazhdojë të mbajë në qendër të vëmendjes problemin shkatërrues të kanabizimit të vendit, duke ushtruar trysni ndaj qeverisë që të paktën të përpiqet sadopak për të kufizuar shtrirjen e problemit. Edhe pse nënvlerësohet gjerësisht nga publiku, efekti ekonomik, shoqëror dhe politik i një ekonomie të përqendruar tek kanabisi është shkatërrues për vendin. Prandaj, edhe kaq do mjaftonte për të thënë: faleminderit Zotit që dje nuk u arrit asnjë pazar partiak.

Lajme te ngjashme