Sheshi Veliera, Gjykata e Apelit vendos ndalimin e punimeve

Sheshi Veliera, Gjykata e Apelit vendos ndalimin e punimeve Projekti Veliera në Durrës. B.

Gjykata e Apelit në Durrës, njësoj si gjykata e Rrethit e ajo Administrative, ka vendosur ndalimin e punimeve në zonën arkeologjike A të sheshit Veliera. Por pavarësisht vendimeve të njëpasnjëshme, punimet në pjesën më të madhe të sheshit kanë vijuar me ritme intensive. Pjesa më e madhe e punimeve nëntokë ka përfunduar, e aktualisht po punohet mbi tokë. Po ashtu në pjesën përpara hyrjes së portit dhe në rrugën nacionale po punohet për tunelin nëntokësor.

Përfaqësues të shoqërisë civile i kanë kërkuar Prokurorisë së Durrësit të marrë masa ndaj Bashkisë Durrës që ka vijuar punimet në shesh, duke mosrespektuar  vendimet e gjykatave.

Mirela Jorgo, avokate dhe përfaqësuese e shoqërisë civile, u shpreh se në zonën arkeologjike duhet të vazhdojnë gërmimet arkeologjike dhe jo punimet me beton. Ajo i kërkoi prokurorisë të vërë përpara përgjegjësisë penale të gjithë ata që kanë shkelur ligjet mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike.

Punimet për sheshin Veliera nisën në nëntor 2016. Në qendër të projektit është një velë gjigante betoni me sipërfaqe prej 200 metra katrorë. Ai do të kushtojë rreth 18.3 milionë euro. Në total, 40 për qind e të gjithë buxhetit të viti 2017 të Bashkisë Durrës.

Render i projektit Veliera

Projekti filloi përpara miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor nga Këshilli Bashkiak.

Projekti Veliera është projektuar nga firma italiane e arkitekturës Archea Associati e arkitektit të dënuar në Itali Marco Casamonti. Arkitekti Casamonti ka projektuar edhe stadiumin “Arena Kombëtare”, një tjetër projekt i qeverisë i përfshirë në skandale.

Projekti Veliera do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Numër 237, me datë 23 mars 2011.

Qytetarët dhe përfaqësues të shoqërisë civile e kanë kundërshtuar vazhdimisht këtë projekt, duke u shprehur se projekti rrezikon të betonizojë trashëgiminë kulturore në Durrës.

Lajme te ngjashme