Zgjedhjet presidenciale në Francë, Macron e Le Pen shkojnë në raundin e dytë

Zgjedhjet presidenciale në Francë, Macron e Le Pen shkojnë në raundin e dytë

Kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen dhe kandidati i pavarur i qendrës së majtë Emmanuel Macron do të përballen më 7 maj në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë.

Në raundin e parë që u zhvillua dje, Emannuel Macron kryesoi me 23,7 për qind të votave, ndjekur nga Marine Le Pen me 21,7 për qind të votave. Në vend të tretë e të katërt u renditën kandidati i ekstremit të majtë Jean-Luc Mélenchon dhe kandidati i konservatorëve Francois Fillon me nga 19,5 për qind të votave secili.

Për herë të parë në 60 vjet, kandidatët e asnjërës prej dy partive të mëdha, socialistëve dhe republikanëve, nuk arritën të kalonin raundin e parë të votimeve.

Rezultatet gjithashtu tregojnë se elektorati francez ka qëndrime të ndryshme për të ardhmen e Francës dhe vendin e saj në Bashkimin Evropian. Macron dhe Le Pen kanë qëndrime të kundërta në lidhje me këtë çështje:

Marine Le Pen drejton partinë e Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë e njihet për qëndrimet anti-evropiane dhe anti-emigrantë. Ajo ka premtuar mbajtjen e referendumit Frexit – për daljen e Francës nga Bashkimi Evropian

Në anën tjetër, Macron përfaqëson një lëvizje të re En Marche! të qendrës së majtë dhe mbron idenë e një France të hapur, më tolerante dhe më të përfshirë në çështjet e Bashkimit Evropian.

Është e pamundur të injorohet roli që ksenofobia dhe islamofobia luajtën në këto zgjedhje.

Këto ishin zgjedhjet e para të zhvilluara pasi vendi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pas sulmeve të vazhdueshme terroriste në Paris e Nice. Frika e një sulmi tjetër u rrit të enjten e kaluar kur një francez vrau një oficer policie në një sulm të dyshuar si me prapavijë terroriste.

Marine Le Pen e shfrytëzoi incidentin e së enjtes për t’i thënë qytetarëve se qeveria franceze nuk ishte e aftë për të mbajtur rendin. Sipas saj përgjigjia ndaj sulmeve terroriste duhet të ishte globale, ç’ka nënkuptonte largimin e shtetasve të huaj nga Franca.

Ndërkohë Macron, në kundërshtim me Le Pen, ka theksuar se kërcënimi më i madh i Francës nuk vjen nga emigrantët, por nga nacionalistët.

Rezultatet e sondazheve për raundin e dytë tregojnë fitoren e Macron me diferencë të madhe, 62 për qind përkundrejt 38 për qind për Marine Le Pen.

Ndërkohë kandidatët e tjerë, të eliminuar tashmë nga gara, i kanë kërkuar votuesve të tyre të mbështesin Emmanul Macron në zgjedhjet e 7 majit.

Nuk dihet se sa e suksesshme do të jetë fushata e të gjithëve kundër Le Pen, sidoqoftë dihet me siguri se Presidenti i ardhshëm i Francës do të jetë një hyrje e re mes partisë së majtë e të djathtë që kanë dominuar për dhjetra vite politikën franceze.

Lajme te ngjashme