Ankimi i opozitës, zgjidhen gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor – Çfarë pritet të ndodhë?

Ankimi i opozitës, zgjidhen gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor – Çfarë pritet të ndodhë? Kolegji Zgjedhor

Kolegji Zgjedhor ka zgjedhur sot pesë gjyqtarët që do të shqyrtojnë kërkesën e opozitës për të quajtur si të pavlefshme regjistrimin e listave shumëemërore të partive, për shkak se janë regjistruar jashtë afatit.

Pesë gjyqtarët, e zgjedhur përmes shortit, janë Artur Malaj, Gjin Gjoni,Ridvan Hado, Sotiraq Lubonja dhe Tomorr Shkreli.

Ankimi i opozitës

Një ditë më parë, partitë opozitare, përmes Partisë Agrare Ambientaliste (PAA) – e vetmja parti opozitare e regjistruar për zgjedhjet- dorëzuan në KQZ një ankesë. Opozita kërkon shpalljen si të pavlefshme të vendimeve të KQZ-së për regjistrimin e partive që listat e kandidatëve i kanë dorëzuar më 29 prill, praktikisht të gjitha partitë.

Sipas tyre, afati i fundit për regjistrimin e listave të kandidatëve për deputetë ishte data 28 prill, ndaj regjistrimi më 29 prill i bën ato të pavlefshme.

Kodi Zgjedhor, në nenit 67, parashikon se “Partia politike, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve.”

Opozita argumenton se sipas ligjit, 18 qershori, data e zgjedhjeve, përjashtohet nga ky afat, e numërimi mbrapsht i 50 ditëve na çon në 28 prill, deri në mesnatë, si afatin e fundit për tu regjistruar.

“Regjistrimi i listës së kandidatëve për deputetë në kundërshtim me procedurën dhe afatet ligjore cenon parimin e barazisë së palëve në procesin zgjedhor,” shkruhet në animimin e opozitës.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor

Kolegji Zgjedhor i përbërë nga 5 anëtarët e zgjedhur me short, duhet të japë vendim për ankesën brenda 10 ditëve.

Nëse kërkesa e Partisë Agrare Ambientaliste në emër të gjithë partive opozitare do të pranohet, vendimi i KQZ për regjistrimin e të gjitha partive më 29 prill bie poshtë.

Kolegji më pas i kërkon KQZ-zë të rishqyrtojë edhe njëherë procedurat e regjistrimit dhe zbatimin e ligjit, çka do të thotë se listat shumëemërore të partive duhen regjistruar “50 ditë para datës së zgjedhjeve”. Pra, praktikisht zgjedhjet do të duhen të shtyhen të paktën 50 ditë nga data që Kolegji Zgjedhor vendos dhe publikon këtë vendim.

Lajme te ngjashme