Kreu i KQZ Biba kundër ankimit të opozitës

Kreu i KQZ Biba kundër ankimit të opozitës Denar Biba

Kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor Denar Biba deklaroi sot se Partia Agrare Ambientaliste (PAA) nuk ka të drejtë të paraqesë ankimim në Kolegj Zgjedhor.

Në përgjigje të ankesës së PAA në Kolegj për të bërë të pavlefshëm vendimin e KQZ për të regjistruar partitë në zgjedhje, Zoti Denar Biba ka shpjeguar se përse sipas tij PAA nuk quhet subjekt zgjedhor, e për rrjedhojë nuk ka të drejtë të ankohet në KQZ.

Po ashtu, Zoti Biba shpreh hapur qendrimin e tij kundër pretendimeve të opozitës se afati i fundit për regjistrimin në zgjedhje ishte 28 prilli dhe se vendimi i KQZ për të regjistruar listat e kandidatëve më 29 prill është i paligjshëm:

“PAA nuk legjitimohet që të paraqesë ankim në Kolegjin Zgjedhor, pasi ankim kanë të drejtë të bëjnë vetëm “subjektet zgjedhore” dhe të tillë janë vetëm ata të cilët paraqesin listë kandidatës.

Është fakt i njohur botërisht dhe i provuar faktikisht që PAA, ndonëse ka paraqitur kërkesë në KQZ për tu regjistruar në zgjedhjet për Kuvendin, të datës 18 qershor 2017, në vijim ka paraqitur kërkesë për tu çregjistruar dhe nuk ka paraqitur listë kandidatësh as më herët e, as në datën 29 prill 2017, që ishte edhe afati i fundit i parashikuar nga Kodi Zgjedhor (KZ), i përllogaritur publikisht sipas formulës së përdorur më së paku që nga zgjedhjet e vitit 2009.”

Zoti Biba citon në shpjegimin e tij nenin 63 të Kodit Zgjedhor që parashikon se:

  1. Subjekt zgjedhor është një parti politike ose një koalicion partish politike, të cilët paraqesin listë kandidatësh, sipas rregullave që përcaktohen në këtë Kod.

Partia Agrare Ambientaliste është e vetmja parti nga kampi opozitar që u regjistrua për të marrë pjesë në zgjedhje, përpara se opozita të merrte vendimin për të bojkotuar zgjedhjet. Më pas, Agron Duka, kreu i PAA-së paraqiti në KQZ kërkesën për ç’regjistrim, por ajo nuk u shqyrtua asnjëherë nga KQZ.

Duket se ka një hapësirë ligjore që mund ta cilësojë PAA-në ende subjekt zgjedhor edhe pse ajo nuk ka paraqitur listë shumëemërore.

Neni 64 i Kodit Zgjedhor shkruan:

  1. Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

Pra, Kodi Zgjedhor lë hapësira për dy interpretime të ndryshme nga dy palët.

Po ashtu dhe për thelbin e ankimit të opozitës, afati i fundit për regjistrimin e listave, Kodi Zgjedhor lë vend për interpretim.

Kodi Zgjedhor, në nenit 67, parashikon se “Partia politike, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve.”

Pjesa “50 ditë përpara datës së zgjedhjeve” është togfjalëshi që lë vend për interpretime të ndryshme nga palët.

Sipas opozitës 18 qershori, data e zgjedhjeve, përjashtohet nga ky afat, e numërimi mbrapsht i 50 ditëve të çon në 28 prill, deri në mesnatë, si afatin e fundit për tu regjistruar.

Ndërsa sipas KQZ-së data 18 qershor përfshihet dhe numërimi mbrapsht bën që 29 prilli të jetë afati i fundit.

Pavarësisht nga qëndrimi i Zotit Biba, është Kolegji Zgjedhor ai që brenda 10 ditëve do të vendosë për ankimin e partive opozitare më në krye Partinë Agrare Ambientaliste.

Lajme te ngjashme