Kriza politike, nis takimi Rama-Basha

Kriza politike, nis takimi Rama-Basha

Kryeministri Rama dhe kreu i PD-së Lulzim Basha kanë nisur takimin në Presidencë për të arritur një marrëveshje për krizën politike.

Zoti Rama shoqërohet në takim nga kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçin dhe sekretarin e përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçi. Zoti Basha shoqërohet nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, e njëkohësisht nënkryetari i PD Edi Paloka.

Takimi mes Ramës e Bashës ishte nismë e Presidentit Nishani, i cili dje ftoi dy liderët për të negociuar.

Ajo ç’ka pritet të diskutohet janë shtyrja e datës së zgjedhjeve, përdorimi i votimit dhe numërimit elektronik, qeveria teknike, kërkesa këto të opozitës, ndërsa Kryeministri Rama ka ofruar zëvendësimin e disa ministrave me ministra teknikë me konsensusin e opozitës.

Dje në mbrëmje, pas mbledhjes me grupin parlamentar, Zoti Basha theksoi se qëndrimi i PD-së është i qartë dhe i njejtë me atë të 18 shkurtit: dorëheqja e Kryeministrit Rama dhe formimi i qeverisë teknike që do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve.

Në mbledhjen e PD, morën pjesë dhe Presidenti i Partive Popullore Evropiane Jozeph Daul dhe Komisioneri për zgjerim Johannes Hahn, përmes një videokonference.

Zoti Basha u shpreh se: “gjatë video konferencës me presidentin e PPE-se Joseph Daul ofrova gjithçka personale me qëllim arritjen e një marrëveshje. Ky është qëndrimi ynë pa ekuivok. Jemi gati të ofrojmë gjithçka që mundemi ne, madje dhe unë personalisht, për votën e lirë të shqiptarëve”.

Lidhur me takimin, zoti Basha tha se do të shkojë vetëm me ofertën për zgjedhje të lira e të ndershme.

Ndërkohë Kryeministri Rama, po dje, tha se i vetmi kusht që PD të vijë në zgjedhje është votimi i vettingut.

“Që të vijën në zgjedhje në më 18 qershor, në fillim duhet të kalojnë nga Kuvendi të votojnë vetingun.”

Lajme te ngjashme