Politika në Shqipëri, profesion apo pasion?

Nga Dritan Sakuta
Politika në Shqipëri, profesion apo pasion?

Në një shtet të Afrikës ekziston një sistem i cili ju jep politikanëve të vet një shumë të konsiderueshme parash, kur ata dalin në pension. Kjo bëhet me dy qëllime, i pari është për kontributin që ata i kanë dhënë vendit, dhe i dyti është që ata të mos ndërhyjnë më në politikë por t’ju lënë hapësirë prurjeve të reja.  Në këtë rast do të mund të mendonim se politikanët mundohen vërtet për mirëqenien e popullit dhe nuk kanë arsye pse të mos bëjnë punën e tyre kur e ardhmja e tyre është e siguruar.

Megjithëse është e vështirë të merret një shembull kur veprimi politik është ndërmarrë vetëm për të përmirësuar mirëqenien publike në Shqipëri, në teori nuk është e pamundur. Raste të tilla është kur një veprim politik, i kryer vullnetarisht, dëmton aftësinë e politikanit për të fituar zgjedhje ose për të ruajtur pushtetin. Në Shqipëri, një gjë e tillë nuk ndodh.

Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve janë mësuar të mendojnë apo shpresojnë se pjesëmarrja në politikë motivohet nga detyra qytetare, por duket se, ndryshe nga shpresa jonë, pjesëmarrja nis nga kënaqësia – kënaqësia për të qenë i njohur e deri tek kënaqësia që merret nga i ashtuquajturi pushtet, i cili e jep në format nga më të ndryshme. Shumë politikanë mund të bëjnë më shumë para nëse vijnë në pushtet dhe të kenë më pak vështirësi në sektorin privat. Shumica e politikanëve shqiptare janë biznesmen të cilët kur vijnë në politikë, shumëfishojnë bizneset e tyre. Politika për këta të fundit me siguri është një hobi, një hobi fitimprurës e i shtrenjte për shqiptarët.

Në disa raste, si gjatë fushatave, qëllimi kryesor i politikanëve është të fitojnë zgjedhjet ose të rizgjedhen. Thënë këtë, nënkuptojmë shpjegimin e shumë sjelljeve politike si ndryshimi i qëndrimit në lidhje me një çështje të caktuar, pa shpjegime për qytetarët. Po ashtu,”përfillja” më e madhe që polikanët i bëjnë qytetarëve gjatë fushatave zgjedhore, na bën të mendojmë se atyre më shumë se sa mirëqënia e qytetarëve, i intereson të gjejnë “një zgjidhje të rehatshme” për veten për katër vitet e ardhshme. Gjatë gjithë mandatit, shumica prej tyre nuk shqetësohen më që të jenë saktiv në politikë, veç ndonjë rasti kur plas ndonjë skandal, i cili nuk zgjat më shume se 2 ditë gjithsesi.

Nga këto pak mendime, mund të themi se në Shqipëri politika nuk është një profesion i mirëfilltë, por  pasion për të kaluar kohën e lire, të cilën e kanë vetëm ata që janë të fuqishëm ose që dinë sesi të luajnë në arenën e politikës shqiptare.

Lajme te ngjashme