Turqi, Erdogan shtyn pa afat “gjendjen e jashëzakonshme”

Turqi, Erdogan shtyn pa afat “gjendjen e jashëzakonshme” Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan

Presidenti turk Erdogan njoftoi një ditë më parë se gjendja e jashtëzakonshme në Turqi, e vendosur që pas grushtit të dështuar të shtetit verën e kaluar, do të vazhdojë derisa vendi të arrijë “mirëqenie dhe paqe”.

Gjendja e jashtëzakonshme i lejon Presidentit Erdogan dhe kabinetit të tij të nxjerrin dekrete gjithëpërfshirëse pa nevojën e votimit në parlament apo rishikimit nga gjykata kushtetuese, duke i dhënë atij pothuajse dorë të lirë në vendimmarrje.

Deri më tani, dekretet i kanë lejuar presidentit turk të burgosë më shumë se 40 mijë njerëz të akuzuar për organizimin e grushtit të shtetit, shkarkimin nga detyra e më shumë se 140 mijë nëpunësve në administriatë, shkrirjen e rreth 1,500 grupeve civile, arrestimin e së paku 120 gazetarëve dhe mbylljen e më shumë se 150 mediave.

Një muaj më parë, Presidenti Erdogan fitoi dhe referendumin për ndryshimet kushtetuese që i jep atij të drejtën për të sunduar pa u kontrolluar nga parlamenti, që sipas Erdogan “ishin vetëm procese të panevojshme parlamentare që pengojnë progresin”.

Zëra kundër Erdoganit janë shprehur se vendimi për të mbajtur gjendjen e jashtëzakonshme është në dëm të atyre pak parimeve demokratike që kanë mbetur tashmë në Turqi.

Në shumë vende gjendja e jashtëzakonshme përdoret  si reagim për kërcënime reale ndaj sigurisë kombëtare, ndërsa Erdogan e ka përdorur për të mbytur zërat kritikë ndaj tij dhe për të spastruar administratën masivisht.

Lajme te ngjashme