Basha: Opozita e bashkuar, e vetmja mundësi për qytetarët – Pikat kryesore të intervistës

Basha: Opozita e bashkuar, e vetmja mundësi për qytetarët – Pikat kryesore të intervistës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bisedoi dje në mbrëmje me gazetaren Rudina Xhunga në emisionin Dritare.

Disa nga deklaratat kryesore të Zotit Basha ishin:

Për Partinë Demokratike:

Demokratët dhe jo demokratët e dinë shumë mirë kush është kryetari i Partisë Demokratike.

Zoti Berisha nuk ka asnjë lidhje me listat. Ato kanë qenë vendimi ekskluziv i imi. Nuk ia kam lejuar vetes të komunikoj me të për zgjedhjen e kandidatëve pasi ky do ishte komprometim i vendimmarrjes, peshës, përgjegjësisë që unë kam marrë me këtë listë.

Opozita e bashkuar, numri 6, është e vetmja garanci për Republikën e Re, për republikën e qytetarëve.

Unë e kam parë, e kam shijuar, e kam gëzuar Evropën si student dhe Evropa më dha mundësi të bëhem ky që jam dhe tani është radha ime t’i jap mundësinë çdo shqiptari, në veçanti të rinjve dhe fëmijëve shqiptarë të jenë qytetarë të standardeve evropiane.

Për partitë e vogla:

Në mënyrë totale, të gjithë votuesit e djathtë, kanë shansin të votojnë për koalicionin e djathtë, për numrin 6 dhe të mos shpërndahen as të LSI-ja, as te PDIU-ja.

Çfarë kanë arritur ata për të drejtat e komunitetit çam? Më thoni një gjë që kanë arritur. Drejtorinë e Sigurimeve Shëndetësore. Janë parti Shpk, janë parti tezgash.

Ky është shansi, pas këtyre zgjedhjeve, se në këto zgjedhje duket që nuk reformohen dot, t’i futen një reforme të thellë nëse me të vërtetë duan t’i shërbejnë kauzave qytetare dhe duhet të pushojnë së qeni parti klienteliste.

Këta janë parti tepsie, por edhe tepsia ka marrë fund, kështu që është harxhim total i votës, është hedhje e votës kot, të votoni për këto dy parti. Rikthehuni në shtëpinë tuaj, votoni për Partinë Demokratike, opozitën e bashkuar, numrin 6.

Blushi tradhtoi veten e tij, sepse doli gjoja kundër estabilishmentit, i kërkoi PD të bëjë bojkot etj. Kur ne morëm vendimet e forta, shkoi dhe u regjistrua që të kapte deputetë qyl. Kur ne u futëm në zgjedhje, ngaqë iu prish plani i deputetëve qyl, u sul kundër opozitës. Kur s’ka njeri për të tradhtuar, Blushi tradhton veten e tij.

Për ministrat teknikë:

Mandati është deri më 9 shtator sepse shteti funksionon me rregulla.

Për debatin publik Rama-Basha:

Nuk kam nevojë unë për debat, kanë nevojë qytetarët e majtë e të djathtë. Debati është kulturë demokratike, është standard evropian dhe amerikan. Ku ka më mirë se ata që pretendojnë të udhëheqin Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme, të dalin para shqiptarëve dhe të tregojë secili bilancin e vet. Thelbi i demokracisë është që të japin llogari para qytetarëve dhe qytetarët gjykojnë me votë.

E di që përgjigjja [e ftesës për debat] është jo, për arsye fare të thjeshta, se [Kryeministri Rama] nuk ka bilanc. Duke mos pasur bilanc dhe duke i braktisur premtimet, për shkak të projekteve të gabuara, [Kryeministri Rama] nuk ka besueshmëri, për atë që paraqet sot si program dhe nuk ka shans të ballafaqohet, as me ekipin, as me programin tim.

Unë bëra Rrugën e Kombit për dy vjet, [Rama] ka 4 vjet që nuk bën Lungomaren.[Rama] kishte gropën e Hajdin Sejdisë, 11 metra larg nga Bashkia dhe se mbushi për 11 vjet. Punon apo nuk punon, e masin qytetarët, e mat interesi publik.

Lajme te ngjashme