Deklaratat e Bashës dhe kërkesat për dorëheqje – Çfarë po ndodh në PD?

Deklaratat e Bashës dhe kërkesat për dorëheqje – Çfarë po ndodh në PD?

Heshtjen dy ditore të Partisë Demokratike e ka zëvendësuar prej mbrëmjes së djeshme debati dhe deklaratat e njëpasnjëshme të kryetarit Basha dhe figurave të tjera të rëndësishme në parti.

Fjalimi i Lulzim Bashës

Në fjalim e parë pas humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit, kryetari i PD Lulzim Basha njoftoi “ngrirjen” e të gjithë funksioneve të tij si kryetar dhe hapjen e garës për zgjedhje të brendshme.

“Unë marr të gjitha përgjegjësitë për rezultatin. Tani demokratët dhe shqiptarët meritojnë një bilanc të plotë me ballafaqim të hapur dhe të vërtetë.

Sa kam gabuar dhe ku kam gabuar, nuk e përcaktoj unë dhe këtë nuk e përcaktojnë as ata që nuk punuan asnjë ditë për fitoren e Partisë Demokratike. Këtë e përcaktojnë demokratët.

Për këtë arsye, me efekt të menjëhershëm kam vendosur të ngrij të gjitha funksionet e mia organizative si kryetar i Partisë Demokratike dhe t’ua delegoj ato dy nënkryetarëve dhe sekretarit të Përgjithshëm për të organizuar me fuqi të plotë vendimmarrëse garën për kryetar të PD-së sipas parimit një anëtar një votë.”

Duke argumentuar mosdorëheqjen e menjëhershme nga posti i kryetarit, Zoti Basha i quajti zgjedhjet “një ndeshje e pabarabartë”, “triumf  paligjshmërisë” dhe denoncoi blerjen “masive” të votive.

“Kjo ishte një garë e pabarabartë, një garë ku unë nuk kam ndërmend të konkurroj asnjëherë me të njëjtat mjete dhe as të ftoj qytetarët shqiptarë.

Blerja e votës u bë masivisht duke zëvendësuar edhe një herë debatin për alternativën me shukun e parave, duke zhvleftësuar planin dhe projektin me pagesë për varfërinë e thelluar për ta bërë më të lehtë këmbimin e saj me të holla, me para të pista droge dhe korrupsioni qeveritar.”

Pritet që në ditët në vazhdim, dy nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, si dhe sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani të hapin procesin për pranimin e kandidaturave për zgjedhjet për kryetarin e PD.

Kërkesat për dorëheqje të Bashës

Dy grupe të ndryshme brenda PD-së kanë kërkuar dorëheqje të menjëhershme të udhëheqësit të PD Lulzim Basha pas humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit.

Grupi i parë ku bëjnë pjesë 19 anëtarë të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD, fajësojnë në mënyrë direkte Lulzim Bashën për humbjen e 25 qershorit:

“Humbja e thellë e PD në këto zgjedhje na detyron marrjen përsipër të përgjegjësive. Lulzim Basha kryetari i PD është përgjegjësi kryesor i kësaj humbjeje. Për më tepër, Kryetari i Partisë ka marrë përsipër personalisht, në shkelje të normave statutore hartimin e listës së deputetëve dhe programin e fushatës.”

Ndërsa grupi i dytë, i përbërë nga rreth 75 ish-deputetë e funksionarë të PD-së, kërkon po ashtu dorëheqjen e menjëhershme dhe të parevokueshme të Bashës , për arsyet e mëposhtme:

-Për rezultatin katastrofik te PD në këto zgjedhje;
-Për thellimin e dobësimit të kapaciteteve konkuruese elektorale dhe organizative të PD-së
-Për shkeljet e rënda dhe nëpërkëmbjet statutore 4 vjeçare,
-Për kërcënimin e identitetit tonë si demokrate nga goditjet sistematike të qëllimshme e kompleksive të simboleve të PD,
-Për mospërfilljen e vazhdueshme të forumeve vendimmarrëse të PD-së;
-Për mungesën e një perspektive të afërt, të qartë,shpresëdhënëse për demokratët.

 

 

Lajme te ngjashme