Gjykata Administrative – dy vendime për HEC-et në Valbonë

Gjykata Administrative – dy vendime për HEC-et në Valbonë

Gjykata Administrative e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e banorëve të katër fshatrave në Luginën e Valbonës për ndalimin e punimeve për ndërtimin e HEC-eve në Luginën e Valbonës, gjatë seancës së sotme gjyqësore.

Gjykata kishte vendosur më parë ndalimin e përkohshëm të punimet pasi çështja duhej shqyrtuar në themel.

Në po të njëjtën seancë, gjykata vendosi dhe hedhjen poshtë të kërkesës së kompanisë së ndërtimit Gener 2 për të rrëzuar padinë e bërë nga qytetarët.

Sipas artikullit të Reporter.al, të botuar më 18 maj 2017, banorët e katër fshatrave në luginën e Valbonës i kanë kërkuar një gjykate në Tiranë të anulojë vendimet që lejojnë ndërtimin e hidrocentraleve, që sipas tyre do të shkatërrojnë lumin Valbonë.

Më tej në artikull bëhet e ditur se:

Me mbështetjen e OJQ-ve në alpet shqiptare, banorët e luginës së Valbonës i janë drejtuar gjykatës në përpjekje për të përmbysur një vendim që miraton ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin Valbonë. Pas Vjosës dhe hidrocentralit të Poçemit, kjo është e dyta çështje e madhe mjedisore që i drejtohet gjykatës.

Të martën, 27 banorë nga Rrogami, Valbona, Dragobia dhe Çeremi së bashku me OJQ-në Toka dhe lidhjen Të Shpëtojmë Alpet Shqiptare paraqitën në gjykatën administrative të Tiranës një padi.

Padia i kërkon gjykatës të anulojë kontratat për dy hidrocentralet që janë në proces ndërtimi në atë që përcaktohet si park kombëtar.

Lugina e Valbonës me një sipërfaqe prej 8 mijë hektarësh është shpallur Park Kombëtar që në vitin 1996. Por pak kohë më parë, qeveria dha me koncesion ndërtimin e 11 hidrocentraleve në rrjedhën e lumit, ç’ka do të thotë betonizim e shkatërrim të florës e faunës së zonës dhe shkatërrimin e një prej pikave turistike më të vizituara nga turistë vendas e të huaj.

Pothuaj të gjitha familjet që jetojnë pranë luginës së Valbonës kanë investuar në aktivitete lidhur me turizmin. Për ta, ndërtimi i hidrocentraleve do të thotë humbja e bizneseve dhe të ardhurave.

Seanca tjetër gjyqësore do të zhvillohet në 14 qershor. Qytetarët e Valbonës u shprehën pozitivë se gjykata do të japë vendimin e duhur për kërkesën e tyre.

Lajme te ngjashme