Haki Çako kundër LSI: Po drejtoj organizatë të depolitizuar

Haki Çako kundër LSI: Po drejtoj organizatë të depolitizuar

Haki Çako, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, iu përgjigj sot akuzave dhe  kërkesës së LSI për shkarkimin e tij:

 “Jam duke drejtuar një organizatë të depolitizuar me ligj, jam në krye të detyrës dhe do të vazhdoj të jem në krye të detyrës për sa kohë jam duke e zbatuar atë me përpikëmërinë më të madhe. Jam duke ndjekur të gjithë procesin zgjedhor.”

Zoti Çako theksoi se policia e shtetit është një nga instituticionet e besueshmërisë më të lartë në sigurimin dhe menaxhimin e procesit zgjedhor dhe se transparenca e policisë gjatë kësaj kohe ka qenë maksimale.

Reagimi i Zotit Çako vjen pas akuzave të vazhdueshme ndaj tij nga drejtues të LSI-së.

Dje Zoti Luan Rama kërkoi shkarkimin e Zotit Çako dhe disa drejtuesve të tjerë të policisë me argumentin se kanë mbështetuer dhe mbrojtur bandat që kanë sulmuar mbështetës dhe drejtues lokalë të strukturave të LSI-së.

“E gjitha kjo situatë kriminale e gjen motivin tek thirrjet skandaloze të kryetarit të Rilindjes i cili e fton policinë të punojë për të marrë vota për partinë e tij dhe jo të zbatojë ligjin. Këto raste dëshmojnë edhe njëherë sesa e inkriminuar është një pjesë e strukturave të policisë së shtetit,” deklaroi Zoti Rama.

Ish-kreu i LSI-së, Ilir Meta, po dje, duke vizituar në spital koordinatorin e LSI Fushë-Krujë, i dhunuar nga persona ende të panjohur, tha se këto akte ndodhin “kur policia ka në krye Haki Drogën”.

Lajme te ngjashme