LSI kundër Tahirit – Akuza dhe kundërakuza

LSI kundër Tahirit – Akuza dhe kundërakuza

Denoncimi i Lëvizjes Socialiste për Intregrim se në Vorë, mbështetës të PS-së, në bashkëpunim me ish-ministrin Tahiri, po shpërndajnë para në këmbim të votës, ka shkaktuar reagime e kundërreagime nga vetë Zoti Tahiri dhe nënkryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Denoncimi i LSI

Eriona Bixha, kandidatja për deputete e LSI në qarkun Tiranë, në një konferencë për shtyp sot, deklaroi:

“Dua publikisht të denoncoj drejtuesin e shit-blerjes së votave në bashkinë e Vorës, shtetasin Agim Kajmaku i cili e ka shndërruar makinën e tij në një bankë kun ë bashkëpunim të plotë me komisariatin e bashkisë Vorë dhe për këtë mund ta verfikoni nga tabulatet telefonike dhe në përkrahjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit cdo natë organizojnë skemën e shpërndarjes së parave shtëpi më shtëpi.”

Kandidatja e LSI-së vazhdoi më tej denoncimin e saj duke përmendur dhe emra të tjerë që blejnë votat në Gjokaj, Picar e Bërcull.

Reagimi i Saimir Tahirit

Menjëeherë pas akuzave, ish-ministri i Punëve të Brendëshme Saimir Tahiri reagoi përmes një statusi në Facebook, ku ndër të tjera Zoti Tahiri i drejtohet drejtëpërsëdrejti Ilir Metës, ish-kryetarit të LSI-së.

Zoti Tahiri shprehet se Meta prej kohësh “i bie në qafë dhe hedh baltë mbi të”:

“Pagove para që të nxish Policinë e Shtetit dhe mua personalisht. Më vure pas një hafije tënden si zv.ministër që arriti deri në çmendurinë e tentativës për të përgjuar zyrën time!

Ke javë të tëra që sa ti, sa gruaja jote, sa kryeshërbëtori yt, sa luanët e kotelet e kazanit tënd politik, merreni me mua duke sajuar lloj-lloj idiotësish, për gjoja presione policore e blerje votash! Se kush është tregtari më i madh i blerjes së votave dhe i vendeve të punës në Shqipëri, këtë e di i madh e i vogël!”

Në media, gjithjë është përfolur për një marrëdhënie të tensionuar mes Ilir Metës e Sajmir Tahirit, aq sa shpeshherë është supozuar se shkarkimi i Tahirit nga posti i ministrit ishte kërkesë e Metës.

Nëse Meta ka kërkuar shkarkimin e Tahirit, ndoshta nuk do të vërtetohet asnjëherë, por marrëdhënia e vështirë mes të dyve pranohet dhe nga zoti Tahiri kur shkruan:

“U bë një kohë e gjatë që më bie në qafë duke hedhur baltë mbi mua dhe t’a kam thënë në sy kur kishim ende komunikim bashkë se je gabim!”

Përgjigjia e Monika Kryemadhit

Nënkryetarja e LSI-së dhe bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi është mjaftuar me një frazë të shkurtër si përgjigje ndaj akuzave të Tahirit:

“Përshëndes Saimir Tahirin me këngën “Mos pi mall, bëj palestër”. Suksese në jetë dhe shihemi më 26 Qershor”

 

Lajme te ngjashme