Ministri Demiraj ndryshon rregullat për kompanitë e sigurisë fizike

Ministri Demiraj ndryshon rregullat për kompanitë e sigurisë fizike Foto Ivana Dervishi

Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj ka vendosur rregulla të reja ligjore për kompanitë e sigurisë fizike, pasi objektet e ruajtura prej tyre, në disa raste, kanë qenë pre e plaçkitjeve të armatosura. Ministria njoftoi se do të ketë tre lloje të licencave: për sigurinë e ndërtesave dhe personave; për sigurinë e bankave dhe transportit të parave, dhe për trajnimin e personelit të sigurisë.

Rregullorja e re gjithashtu ndalon (ish) oficerët e policisë, ushtarakë apo punonjësit e shërbimit sekret që të punësohen në pozicione drejtuese në firmat e sigurisë; Ata mund të përfshihen vetëm në trajnimin e personelit të sigurisë.

Për më tepër, një person nuk lejohet të drejtojë ose të ketë më shumë se një kompani sigurie.

Rregullorja e re synon të rrisë profesionalizmin në kompanitë e sigurisë, por edhe të luftojë numrin e madh të kompanive të sigurisë që konkurrojnë për tenderat publikë. Siç ka shkruar edhe Exit.al më parë, kompanitë e sigurisë formojnë një kartel të paligjshëm të caktimit të çmimeve, të cilin Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës deri më tani nuk ka arritur ta hetojë siç duhet.

Ky kartel është ende në funksion, sepse sikurse vihet re edhe në buletinin e fundit të prokurimeve publike:

 1. 14 kompani sigurimi kanë paraqitur të njëjtën ofertë në tenderin për sigurinë e Inspektoratit Shtetëror të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë;

2. 9 kompani të sigurimit kanë paraqitur të njëjtën ofertë në tenderin për sigurinë e Gjykatës së Rrethit Mat, ndërsa tre të tjerë kanë paraqitur të njëjtën ofertë, por në vlerë më të ulët se nëntë të tjerat;

3. Për sigurinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në Tiranë, të pesta kompanitë pjesëmarrëse në tender kanë paraqitur ofertë me vlerë të njëjtë.

Në pothuajse të gjitha këto raste, fituesi përfundimtar është zgjedhur parapakisht, pa qenë nevoja të vëzhgohet cilësia e shërbimeve të ofruara.

Lajme te ngjashme