PDIU: Bëjmë koalicion me partinë që fiton zgjedhjet

PDIU: Bëjmë koalicion me partinë që fiton zgjedhjet

Shpëtim Idrizi, kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, deklaroi dje në mbrëmje se partia e tij do të bëjë koalicion pasqeveritar me atë parti që del e para. Sipas Zotit Idrizi nuk ka rëndësi se cila parti është fituesja, e rëndësishme për PDIU-në është vetëm plotësimi i tre kushteve:

“Çdo parti që do të dalë e parë nga këto zgjedhje dhe do ketë nevojë për ne kemi gati 3 kërkesa: Zgjidhja e Çështjes Çame, Ministria e Diasporës dhe ligji për referendumet.”

Në zgjedhjet e vitit 2013, PDIU, në koalicion me Partinë Demokratike, fitoi katër mandate: në Tiranë, Vlorë, Fier e Elbasan. Më pas, PDIU e braktisi koalicionin opozitar dhe ju bashkua qeverisë Rama-Meta. Si pjesë e marrëveshjes, Idrizi mori dhe postin e nën kryetarit të Kuvendit.

Në zgjedhjet e 25 qershorit PDIU garon e vetme, ndaj përkthimi i votave në mandate, për shkak të sistemit, bëhet më i vështirë.

Ftesës së hapur të Zotit Idrizi nuk dihet se si do t’i përgjigjen partitë e mëdha: Kryeministri Edi Rama gjatë gjithë fushatës ka theksuar se do ta ketë “timonin e qeverisjes vetë” dhe nuk dëshiron të bëjë koalicion me partitë e vogla “që duan të jenë pjesë e tepsisë së pushtetit”; ndërsa marrëdhëniet mes PD e PDIU duket se kanë pësuar krisje pas largimit të kësaj të fundit nga koalicioni opozitar.

Lajme te ngjashme